Kandidatja e VMRO-së prin në zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut
Në Maqedoninë e Veriut qytetarët më 24 prill votuan për presidentin e ri të shtetit.
Sipas rezultateve të para të publikuara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, kandidatja e partisë opozitare, VMRO DPMNE, Gordana Siljanovska- Davkova, po prin bindshëm në garën për të parin e shtetit.
Sipas rezultateve të publikuara nga 59 për qind e vendvotimeve, Silanovska-Davkova, ka fituar 197.741 vota apo 37.80 %. Ajo ishte kandidate e VMRO-së për presidente edhe në zgjedhjet e vitit 2019.
Kandidati për president i koalicionit për Ardhmëri Evropiane, presidenti aktual i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pandarovski, ka marrë 97.592 apo 18.66 % të votave.
Sipas këtyre rezultateve, presidenti i ri do të zgjidhet në rundin e dytë zgjedhjeve, ku do të shkojnë dy kandidatët me më së shumti vota. Kjo pasi në rundin e parë kërkohet që presidenti të zgjidhet me 50 për qind të votave, me kushtin që pjesëmarrja në zgjedhje të jetë mbi 40 për qind e elektoratit.
Këto zgjedhje njëherësh janë vlerësuar si shumë të rëndësishme për partitë politike, pasi rezultati që do të arrijnë ato do të jetë test për zgjedhjet parlamentare, që do të mbahem më 8 maj, së bashku me rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.
Më herët, KSHZ, tha se në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale votuan rreth 49 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.
Pas mbylljes së vendvotimeve në orën 19:000, kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski, tha se procesi zgjedhor është zhvilluar në mënyrë të rregullt, ndërkohë që opozita shqiptare ka denoncuar parregullsi në disa zona në komunën e Likovës.
Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), të drejtë vote kishin 1.814.317 votues.