
Kampionia Drita sot mëson kundërshtarin e saj në Champions League
Kampionia e Kosovës në futboll, Drita, sot do ta mësojë kundërshtarin e parë në kualifikimet për Champions League, në shortin që hidhet me fillim nga ora 14:00 në Nyon të Zvicrës.
Skuadra e drejtuar nga Zekirija Ramadani do të jetë në vazon bartëse, dhe kështu do ta ketë të paktën në letër, një “short më të lehtë”, transmeton Klankosova.tv.
Ekipi nga Gjilani, mund të ketë një nga 13 kampionët e elitave të futbollit evropian, përfshirë këtu edhe dy klube shqiptare.
Këta janë kundërshtarët e mundshëm të Dritës:
Inter Club d’Escaldes (Andorra);
Levadia (Estonia);
Dinamo Minsk (Bjellorusia);
Hamrun Spartans (Malta);
Kairat (Kazakistani);
Milsami Orhei (Moldavia);
Differdange 03 (Luksemburgu);
Iberia 1999 (Gjeorgjia);
Vikingur (Ishujt Faroe);
Shelbourne (Republika e Irlandës);
Virtus (San Marino);
Si dhe, kundërshtarë të mundshëm që Drita mund t’i ketë përballë janë edhe klubi shqiptar, kampione e Maqedonisë së Veriut – Shkëndija, së bashku me kampionen e Shqipërisë, Egnatinë.
Kampionia e Kosovës në futboll, kishte luajtur dy herë në kualifikimet e Champions League, transmeton Klankosova.tv.
Herën e parë kishte fituar dy ndeshje në fazën parakualifikuese, për t’u mposhtur nga Malmo në fazën e parë kualifikuese.
Derisa, në herën e dytë, shkaku i COVID-19 ishte eliminuar me rezultat zyrtar nga finalja e fazës parakualifikuese.