Kamberi, shqiptarëve të Luginës: Refuzoni shërbimin e detyrueshëm ushtarak

Kamberi, shqiptarëve të Luginës: Refuzoni shërbimin e detyrueshëm ushtarak

Shaip Kamberi, deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës që ta refuzojnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak i cili u paralajmërua nga autoritetet serbe.

Nisma për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak u iniciua nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Serbisë dhe propozimi i është dërguar presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

“Paralajmërimet për shërbim të detyrueshëm ushtarak në Serbi, edhe pse lëvizje strategjike marketingu nga Presidenti Aleksandër Vuçiç është i papranueshëm dhe duhet të refuzohet nga shqiptarët e Luginës së Preshevës”, ka shkruar Kamberi në Facebook.

Serbia, thekson deputeti shqiptar në parlamentin serb, “sot nuk është e kërcënuar nga asnjë prej vendeve fqinje”, madje shton ai, përkundrazi, rasti i 24 shtatorit vitit të kaluar në Banjë “ka treguar për cenimin e integritetit të vendeve fqinje dhe kush synon agresorin”.

Kamberi ka vlerësuar se rajoni ka nevojë për paqe dhe progres, “ndryshe vendimet e këtilla luftënxitëse vetëm sa na rikthejnë në vitet e 90-ta”.

Nisma për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak u iniciua nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Serbisë dhe propozimi i është dërguar presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

Në shpjegimin e saj, ushtria tha se propozimi vjen “pas një shqyrtimi të detajuar të situatës së përgjithshme të sigurisë dhe sfidave bashkëkohore me të cilat përballet Serbia si një vend ushtarakisht neutral”.

Serbia kishte hequr dorë nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak më 1 janar 2011 dhe që atëherë vetëm personat që duan, mund t’i bashkohen ushtrisë.