Kamberi: Serbia vazhdon t’i shkelë të drejtat e shqiptarëve në Luginë

Kamberi: Serbia vazhdon t’i shkelë të drejtat e shqiptarëve në Luginë

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka akuzuar Beogradin zyrtar për shkelje të vazhdueshme të të drejtave në Luginë të Preshevës, duke injoruar edhe rekomandimet e Bashkimit Evropian për përmbushjen e objektivave të “Planit aksional për integrimin e shqiptarëve”.

Ai ka përkujtuar se Serbia po e pengon realizimin e këtij plani, i cili është përmendur edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për 2024.

Në Raportin e Progresit për Serbinë, në kapitullin për të drejtat e pakicave, KE, përveç çështjes së pasivizimit, gjuhës së urrejtjes, theks të veçantë vë edhe në pozitën e nënpërfaqësimit të shqiptarëve në administratën publike dhe polici.

“Në raport me shqiptarët, Serbia është injoruese ndaj rekomandimeve të BE-së. Kur është fjala për respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, Serbia nuk përfillë as rekomandimet që vijnë nga Brukseli. Në Raportin e Progresit të Serbisë për vitin 2024, në kapitullin për të drejtat e pakicave, Komisioni Evropian, veç çështjes së pasivizimit, gjuhës së urrejtjes, theks të veçantë vë edhe në pozitën e nënpërfaqësimit të shqiptarëve në administratën publike dhe polici. Komisioni Evropian me këtë rast kërkon veprim të menjëhershëm për përmbushjen e objektivave të ‘Planit aksional për integrimin e shqiptarëve’. Është fjala për një dokument të nënshkruar në mes të Këshillit Kombëtar Shqiptar, në krye me Ragmi Mustafin, OSBE-së dhe Ministrinë për të Drejtat e Njeriut, të përkrahur nga delegacioni i BE-së në Serbi dhe Këshilli Evropës përmes të cilit janë definuar hapat e integrimit të plotë të shqiptarëve në administratën publike e polici në periudhën 2022-2026, realizimi i të cilit, as tani, në fund të vitit 2024, nuk është filluar”, ka shkruar në Facebook Kamberi.

Ai ka thënë se është i vetëdijshëm për pengesat që Serbia i bën realizimit të këtij plani. Komisioni Evropian në Raportin të Progresit për 2024 ka shkruar se duhet të fillojë “zbatimi i planit të veprimit për përmirësimin e përfaqësimit të shqiptarëve në institucione duhet të përshpejtohet dhe të çojë në përmirësime të prekshme.

Pakicat kombëtare mbeten të nënpërfaqësuara në administratën publike dhe policinë”.

“Megjithatë kur vjen puna te ndërmarrja e veprimeve konkrete në terren, qeveria serbe vepron në kundërshtim me këto rekomandime. Rasti i fundit ka të bëjë me Gjykatën për Kundërvajtje në Preshevë, në krye të së cilës është emëruar një gjyqtare serbe, duke injoruar gjykatësit shqiptarë. Në seancën e 28 nëntorit të këtij viti, në krye të Gjykatës për Kundërvajtje në Preshevë, komunë me mbi 95 % shqiptarë, Këshilli i Lartë i Gjyqësorit në Serbi, emëroi Aleksandra Kuzmanoviq, duke margjinalizuar kështu kuadrot shqiptare”, ka deklaruar Kamberi.

Ai ka shtuar se Gjykata Themelore (komunale) në Preshevë është shuar më 2011, në kuadër të reformës së gjyqësorit me moton “Drejtësia më afër qytetarit”.

“Vlen të përmendet se në Preshevë, po ashtu, u. d. i drejtorit të Shtëpisë së Shëndetit para dy viteve është emëruar një mjek nga komuniteti serb që përbëjnë vetëm 3 % të popullatës së kësaj komune”, ka thënë Kamberi.