Kamberi: Ndërkombëtarizimi i çështjes së Luginës kërkon koordinim

Kamberi: Ndërkombëtarizimi i çështjes së Luginës kërkon koordinim

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, është takuar me ambasadorin e ri të Republikës së Shqipërisë në Beograd, Bardhyl Canaj, me të cilën ka diskutuar për çështje që kanë të bëjnë me shqiptarët në Luginë të Preshevës.

Kamberi ka shkruar në ‘Facebook’, se është e nevojshme që të ketë koordinim në mes të Ambasadës Shqiptare në Beograd me spektrin politik shqiptar në Luginë të Preshevës, për të adresuar çështjet me rëndësi e diskriminimin i cili konstant është eminent.

“Ndërkombëtarizimi i çështjes së Luginës së Preshevës, për të shpërfaqur padrejtësitë me të cilat po përballen shqiptarët e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, kërkon sinkronizim e koordinim mes nesh. Pasivizimi i adresave ishte një tjetër temë e takimit”, ka shkruar Kamberi.

Sipas tij, bashkëpunimi i shkëlqyer me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Beograd do vazhdojë në betejën tonë konsistente për të drejtat tona kolektive!.

“Implementimi në plotni i Planit 7 pikësh duhet të jetë pikënisje e afirmimit të të drejtave dhe përmirësimit të gjendjes së shqiptarëve në Luginë të Preshevës”, tha Kamberi.