
Kallas: Viti 2030, objektiv realist për anëtarësimin e Shqipërisë në BE
Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030 mund të jetë një objektiv realist, nëse kryhen reformat e nevojshme, tha në Tiranë shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas.
“Po, është realiste nëse të gjithë bëjnë detyrat e shtëpisë”, ka thënë Kallas.
Por në këtë rrugë, Kallas tha se Shqipëria duhet të bëjë reformat e nevojshme. “Shqipëria me reformat e saj jo vetëm ato që duhet të miratohen, por edhe ato që tashmë janë miratuar duhet të zbatohen. Këtu, sundimi i ligjit është jashtëzakonisht i rëndësishëm, pasi ai, shteti i së drejtës, është një nga themelet e Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Kallas.
Në konferencën e përbashkët, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se në fokus të diskutimeve ishte anëtarësimi i Shqipërisë në BE. Rama shprehu ambicien që negociatat e Shqipërisë me BE-në, në kuadër të procesit të anëtarësimit, të mbyllen deri në vitin 2027.
“Ne kemi një plan të dakordësuar me BE-në për të mbyllur negociatat në vitin 2027, që do të thotë se në momentin që mbyllen negociatat, Komisioni i rekomandon vendeve anëtare anëtarësimin”, tha Rama.
Nga ky moment, Rama tha se Shqipëria parasheh një periudhë dyvjeçare ratifikimesh, që sipas tij përfundon me anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Këtë rrugëtim, Rama tha se e ndihmon fakti që Shqipëria është në linjë të plotë me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian.