Juniku pa rrymë, Komuna e bën përgjegjës KEDS-in
Juniku ka mbetur pa energji elektrike që nga ora 1 pas mesnatës së të shtunës.
Kështu ka thënë Komuna përmes një njoftimi, duke theksuar se arsye e ndërprerjes janë reshjet e borës.
Ndër të tjera, komuna e ka fajësuar KEDS-in për gjendjen e krijuar pasi thotë se kanë kërkuar nga kompania që të intervenojë, por edhe përkundër kësaj janë ende pa rrymë.
“Ne jemi dëshmitarë se në kohët e fundit, nëse fryn një erë e lehtë, furnizimi me energji ndalet, nëse bie shi, furnizimi me energji ndalet, nëse bie borë, furnizimi me energji ndalet. Përgjegjësi për këtë dështim është KEDS. Mungesa e energjisë elektrike shkakton dëme të mëdha në familjet e Junikut”, tha komuna në një postim në Facebook, raporton Klankosova.tv.
Aty iu bë apel KEDS-it që “si përgjegjës për furnizimin me energji elektrike që të bëjë evitimin dhe furnizimin me energji elektrike për banorët e Junikut sa më parë”.
“Banorët e Junikut janë edhe paguesit më të rregullt të energjisë elektrike dhe nuk e meritojnë një trajtim të tillë”, u tha në njoftim.