“Ju na shpëtuat”, Osmani vlerëson lart Blairin, e quan edhe hero të Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka quajtuar hero të popullit të Kosovës, ish-kryeministrin britanik, Tony Blair.
Para medieve, e para e shtetit e falënderoi Blairin i cili siç tha ajo, përkundër sfidave e orientoi kompasin e historisë në anën e mbrojtjes dhe vlerave që kanë përcaktuar kapitujt më të rëndësishëm të historisë njerëzore.
“25 vjet më pas dhe çdo ditë nga ajo, ne ju themi faleminderit. Faleminderit Tony Blair që përkundër sfidave ju orientuat kompasin e historisë në anën e mbrojtjes së vlerave që kanë përcaktuar kapitujt më të rëndësishëm të historisë njerëzore. Ju faleminderit përzemërsisht që jeni bashkë me në 25-vjetorin e Çlirimit në mënyrë që ta shihni dhe ju mirënjohjen që qytetarët e Kosovës kanë ndaj jush që nga viti 1999 kur u radhitët në anën e së drejtës”, tha ajo.
Osmani ia ritheksoi Blairit, se shumë fëmijë në Kosovë mbajnë emrin e tij, të cilët janë dëshmi se sa shumë gjurmë ka lënë ai tek populli i Kosovës.
“Në vitin 1999 roli i juaj si kryeministër në Angli gjatë ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë ishte vendimtar ndaj sikurse atëherë që ishit hero i Kosovës dhe i lirisë dhe demokracisë edhe sot jeni hero i paqes për vendimin e drejtë të asaj kohe. Në prill të vitit 1999 ju e keni cilësuar intervenimin në Kosovë si kauzë të drejtë e të tillë siç u dëshmua atëherë e siç dëshmohet edhe sot sepse në pyetje ishte vetë ekzistenca e një populli. Ju na shpëtuat me ndërhyrjen e NATO-s nga shfarosja e cila synohej nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit. Kosova sot është një nga trashëgimitë tuaja më të suksesshme. Shumë fëmijë të asaj kohe mbajnë emrin tuaj, Tony Blair, ata janë dëshmi se sa shumë gjurmë keni lënë tek populli ynë. Ata po rriten krahas kujtimit për njeriun që i dha shtytje lirisë sonë”, tha tutje Osmani.
“Suksesi i Kosovës është dëshmi e angazhimit tuaj atëherë, e angazhimit të vazhdueshëm të Anglisë, dhe dëshmi se sa i rëndësishëm është partneriteti me aleatët tanë. Trashëgimia juaj në Kosovë është shpresë, liri dhe partneritet i qëndrueshëm. Jemi të nderuar që ju kemi mik dhe aleat të Kosovës. Populli i Kosovës ju vlerëson dhe do t’ju mbajë në zemër sot dhe përherë për kontributin tuaj për lirinë tonë”, tha presidentja.