Jeta e sfiduar e 25 vjeçarit me diabet: Më prish punë edhe në dashuri

Jeta e sfiduar e 25 vjeçarit me diabet: Më prish punë edhe në dashuri

25 vjeçari K.M në fundin e vjeshtës të vitit të kaluar po përjetonte disa simptoma me të cilat nuk ishte përballur kurrë më parë e që për të ishin krejt të panjohura.

Etja, ishte njëra nga simptomat që ju shfaq më vonë pas ankthit që e kishte fillimisht.

“Jam kanë i etur, i pisha ka 4-5 litra ujë në ditë e dikur as ato nuk kishin efekt, kish raste kur krejt trupi mu dridhke e nuk dijsha se çka po ndodh me trupin tem”, rrëfen 25 vjeçari.

Mirëpo pas një muaji, pra në nëntorin e vitit të kaluar ai u drejtua te mjeku dhe nga rezultati që mori  u shtang.

“E bona 3 mujorin më doli 9.5, më tha mjekja po më vjen keq por e paske diabetin, qaty jam shoku goxha shumë” , tregon K.M

Diagnostika nuk mbarojë më kaq për të. Rezultatet treguan se përveç që ka Diabet të Tipi 1, për të cilën merr insulinë, ai mësoi që edhe gjëndra tiroide nuk po e kryen funksionin e saj siç duhet.

Përveç  me sëmundjet auto-imune, 25 vjecari përballet edhe me stigmën, madje edhe deri në ato raste kur diabeti i prish punë edhe në dashuri

“A shpohesh çdo dite, është pyetja që ma bojnë meniherë, kom pas rast që kom fol me një femër kom dashtë me njoftu, më ka thanë je i smutë nuk muj me vazhdu”

Megjithëkëtë K.M ka vendosur që më as në rrethin e gjerë familjarë mos ta mbajë të fshehtë që ka sheqer.

E, për të një ndër kurat natyrale që i ka ndihmuar në menaxhimin e diabetit është ecja në pishat e parkut të Sllatinës, minimizimi i stresit dhe ushqimi i kontrolluar.

I njëjti thekson se menaxhimi i kësaj sëmundje ka kosto të kushtueshme, madje sipas tij ata që nuk kanë mundësi financiare e kanë tejet të vështirë që të ia dalin mirë.

Sidoqoftë, djaloshi nga rrethina e Prishtinës, bën dy puna madje është i lumtur me stilin e jetesës që ka aktualisht.

K.M thotë se tani bën jetë të shëndetshme, merret me sport, konsumon ushqim të mirë dhe është më i lumtur.

Se janë në rritje rastet e tilla kur të rinjtë në të njëjtën kohë kanë çrregullime si në organin e tiroides dhe pankreasit, e pohon edhe endokrinologia, Merita Emini.

Nga ajo se çfarë dihet deri më tani sipas të dhënave shkencore del që stresi e ngarkesa psiqike janë ndër faktorët kryesor në shkaktimin e këtyre sëmundjeve.

Specialistja Emini, thotë se për t’ua lehtësuar jetën të rinjve që kanë dinamikë do të ishte mirë që ata të pajisen edhe me aparat që sinjalizojnë lëvizjet e glikemisë, por që vendi ynë ende nuk i posedon e që nuk janë aq të lira për ti blerë.

Apeli i profesionistëve është kujdesi shtuar në ushqim, rritje të aktivitetit sportiv dhe preventivë përmes analizave.