Jasharaj: Qeveria ka barrikaduar sindikatat

Jasharaj: Qeveria ka barrikaduar sindikatat

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka thënë për Ekonomia Online se mësimdhënësit e kanë menduar një grevë njëorëshe me fillimin e vitit të ri shkollor.
Kreu i SBAShK-ut ka thënë se kjo kërkesë e tyre ka ardhur pasi Qeveria Kurti nuk i ka plotësuar kërkesat që i kanë shpalosur më 1 maj.

Si rrjedhojë, Jasharaj deklaroi se punëtorët e arsimit janë të pakënaqur.

“Ne shpesh i mbajmë mbledhjet online me kryetarët e nivelit komunal dhe të universiteteve sepse ata çdo ditë janë në shkollë dhe janë përditë në komunikim të vazhdueshëm me kryetarë të shoqatave. Punëtorët e arsimit janë të pakënaqur dhe ata po kërkojnë ose dialog e zgjidhje të kërkesave ose të mendohet për veprime sindikale. Ajo që u debatua mbrëmë, ishte që të shohim bashkë me kolegët tanë që një orë, që ende data nuk është caktuar, mos të jetë orë e rregullt mësimore por të jetë një orë e cila e shpreh mllefin, pakënaqësinë dhe me nxënësit të bisedohet dhe besoj se nxënësit mesazhin do ta dërgojnë pastaj në shtëpitë e tyre dhe kjo krejt bëhet që Qeveria ka mjaftë kohë dhe ne presim që të ulemi dhe të bisedojmë dhe t’i zgjidhim problemeve që i kemi”, ka thënë Jasharaj.

“Kjo Qeveri e ka barrikaduar dhe e ka mbyllur e injoruar në total dialogun dhe si shembull i kësaj është njeriu më shembullkeq Hekuran Murati, i cili u bë një vit e më shumë që e ka bllokuar edhe Këshillin Ekonomiko-Social ku së paku debatonin sindikatat, qeveria e sektori privat. Ky Këshill nuk funksionon fare. Kryeministri Kurti por jo vetëm, por edhe Hekuran Murati dhe zonja Nagavci, do të mbahen mend nga mësimdhënësit dhe të tjerët si armiq të sindikatave në Kosovë, si njerëz që e kanë shfrytëzuar mundësinë e pushtetit që t’i shuajnë sindikatat, por fatkeqësisht SBASHK-un nuk kanë arrit ta shuajnë”, ka thënë Jasharaj.