Jasharaj, Nagavcit: Ke urdhër nga kryeministri që të mos takohesh me sindikalistë
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, nuk u është përgjigjur në letrën që i kanë dërguar më 25 prill për kërkesat e tyre dhe paralajmërimin e mbajtjes së protestës së 1 majit.
Ai në një komunikatë është shprehur se kryeministri Albin Kurti është duke e penguar Nagavcin në punën e saj.
“Ti para pak ditësh duke iu përgjigjur medieve deklarove se ke gatishmëri të takohesh me SBASHK-un e me të tjerët në shërbim të arsimit dhe ne të nisem prapë një kërkesë më 22 prill duke menduar se ju dhe Qeveria keni ndryshuar qasje ndaj sindikatave dhe dialogut, por përgjigja nga kabineti yt mungoi. Më 25 prill ta dërguam edhe një shkresë dhe të informuam për protestën e 1 majit dhe t’i dërguam edhe të gjitha kërkesat legjitime të anëtarësisë, të cilat edhe mediat e nderuara i publikuan”, ka thënë Jasharaj.
“Ti ministre vazhdove me qasjen e njëjtë dhe me heshtjen dhe u ik ende takimeve me ne, por tregoje të vërtetën para medieve. Ne e dimë se ke urdhër nga kryeministri, dhe jo vetëm ti, që të mos takoheni me sindikatat dhe duhet të merrni leje nga ai e ndokush tjetër, se kur e me këtë të takoheni, por të lutemi mos deklaro para medieve se ke gatishmëri të takohesh me SBASHK e me të tjerët sepse kjo nuk është e vërtetë”, ka përfunduar Jasharaj.