Jasharaj ia bën me dije Nagavcit: Sa të ketë SBAShK nuk do të ketë test për mësimdhënësit

Jasharaj ia bën me dije Nagavcit: Sa të ketë SBAShK nuk do të ketë test për mësimdhënësit

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka thënë sot se është e bindur që mësimdhënësit do të aplikojnë për t’u pajisur me licencë të avancuar, që nënkupton nënshtrimin e testit me shkrim.

Kjo deklaratë e ka shtyrë që të reagojë kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj.

Ai ka thënë se sa të ketë SBAShK nuk do të ketë test me shkrim për njohuritë e mësimdhënësve.

“Shumë herë e kam ngritur zërin në mbrojte të punëtorëve të arsimit, sepse e kam ndjerë borxh edhe ndaj atyre më të cilët e kemi mbrojtur arsimim shqip në vitet e ‘90-ta. Kam thënë duke u bazuar në zërin e anëtarësisë se ka greva. Kam deklaruar se kurrë sa të ketë SBAShK nuk do të ketë test me shkrim për njohuritë e mësimdhënësve”, ka thënë Jasharaj.

Ai ka treguar se ka kërkuar publikisht tani e sa muaj takime me ministren Nagavci për të shpalosur kërkesat e punëtorëve të arsimit, por, sipas tij, ajo e mban e vazhdon ta mbaj inatin për grevën dhe nuk pranon takime.

“Punëtorët e arsimit duhet të dinë edhe ca të vërteta të tjera nga ‘miqësia’ për ta e ministres Nagavci”, është shprehur kryetari i SBAShK-ut.

Jasharaj ka theksuar se punëtorët e arsimit duhet ta dinë se ministrja Nagavci nuk është zëri i tyre në qeveri.

“Punëtorët e arsimit duhet ta dinë se ministrja nuk është zëri i tyre në qeveri edhe pse SBAShK-u e kishte lutur vazhdimisht që ta bënte këtë. Ministrja Nagavci duke e parë se në Këshillin Shtetëror për Licencim nuk mund t’i kalojë planet e saj kundër mësuesve të Kosovës pa u bërë publike e pa u zhvilluar debate udhëzoi bashkëpunëtorët e saj dhe do të tjerë dhe e hoqën nga përbërja e Këshillit Shtetëror të Licencimit të Mësimdhënëseve përfaqësuesin e vetëm të tyre, pra SBAShK-un e pse? Për të bërë eksperimente e për të vendosur çdo gjë kundër punëtorëve të arsimit, e pa pasur kush të kundërshtoj e të bëj publike këto angazhime të saj”, ka thënë Jasharaj.

Jasharaj ka thënë se ministrja Nagavci po vendos vet pa përfaqësues të SBAShK-ut, të prindërve, të kolegjiumit të drejtorëve, të Asociacionit të Komunave.

“Kujdes! Duam avancim, por me marrëveshje dhe pa degradim e nënçmim të gjithë arritjeve tona në gjithë ato vite të studimeve”, është shprehur kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj.