Ish-ministri i jashtëm, Hoxhaj, nderon Ramë Bllacën, njërin nga heronjtë më të spikatur të Kosovës
Ish-ministri i Punëve të Jashtme, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka nderuar sot Ramë Bllacën, njëri nga heronjtë më të spikatur të Kosovës në gjysmën e parë të shekullit 20 dhe ndër figurat më markante të parlamentarizimit të kësaj kohe.
“Sot, nderuam Ramë Bllacën, njëri nga heronjtë më të spikatur të Kosovës në gjysmën e parë të shekullit 20 dhe ndër figurat më markante të parlamentarizimit të kësaj kohe! Ramë Bllaca, si deputet, u bë i deleguari më besnik i shqiptarëve në parlamentin e atëhershëm të mbretërisë jugosllave. Ai u bë veçanërisht i njohur duke i thënë jo shpërnguljes së dhunshme të shqiptarëve nga Kosova dhe duke i thënë jo kolonizimit të Kosovës nga regjimi i Serbisë së Pashiqit”, ka thënë Hoxhaj.
Ai ka shtuar se kjo kauzë e tij politike u bë edhe vepra e madhe kombëtare e tij në ndalimin e shpërnguljes së bashkëkombësve të vet dhe pengimin e planeve serbe për të spastruar Kosovën nga shqiptarët.
“Kështu, kur shpërnguljet ishin shumë masive dhe po arrinin shifra alarmante, ato filluan të ndalonin, ku pjesa dërmuese e shqiptarëve nuk braktisën Kosovën, ndonëse shumë nga ta u shpërngulën në Turqi, ku sot jetojnë. Një trim e burrë i zoti dhe personalitet shumë i respektuar, në Suharekë dhe në Kosovë e më gjerë, u shqua me pjesëmarrjen e tij në luftëra kundër pushtimit osman në vitet 1909-1912, sikurse edhe babai i tij, duke qenë luftëtar i Lidhjes së Prizrenit”.
“Ramë Bllaca u bë një figurë e rëndësishme politike me luftën e tij politike në vitet 1930-ta kundër shtypjes dhe represionit serb dhe artikulimi i problemeve të njëmendta të shqiptarëve. E çështja më serioze që rrezikoheshin shqiptarët edhe me ekzistencë, ishin marrëveshjet mes Jugosllavisë dhe Turqisë për t’i shpërngulur shqiptarët! Duke e penguar shpërnguljen e shqiptarëve dhe duke vetëdijesuar bashkëkombësit që të qëndronin në trojet e veta kombëtare që ishin arsyet kryesore të vrasjes së tij, vrasja e tij u bë testamenti më politik për gjeneratën e tij dhe çdo gjeneratë tjetër në Kosovë deri në ditët e sotme! Ramë Bllaca ishte njeri i veprimit politik, por, edhe djali i tij, Qazimi, ishte ai që e frymëzoi atë, familjen dhe shumë gjenerata në Prizren dhe tërë Kosovën, me ide patriotike! Emri i Ramës dhe familjes së tij është në themelet e lirisë, pavarësisë dhe identitetit shqiptar të Kosovës, dhe si të tillë do e kujtojmë përherë!”, ka theksuar zyrtari i lartë i PDK-së, Enver Hoxhaj.