
Isa Mustafa flet për zhvillimet në LDK: Partia mbi çdo emër të përveçëm
Ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka shkruar në “Facebook” për zhvillimet në LDK pas rezultati që ky subjekt politik mori në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Ai ka thënë se është munduar të mos involvohet me opinione për çështje të rezultatit zgjedhor, në debate për dorëheqje apo se kush duhet të jetë e kush të mos jetë në krye të LDK-së, duke konsideruar se përgjegjësia për rezultatin është çështje etike, nuk është çështje e testimit dhe liçencimit.
Mustafa ka thënë se kjo zgjidhet në organet vendimmarrëse të LDK-së, jo në deklarimet e ndonjë dege, të ndonjë simpatizanti, josimpatizanti apo të ndonjë debutueseje boshe se kush duhet të shkojë e kush jo nga LDK-ja.
“Në LDK problemet më së paku mund të zgjidhen me tifozllëk, andaj format e tilla të propagandës e deformojnë demokracinë dhe mund ta bëjnë Kuvendin e thirrur arenë të përçarjeve, që nuk i nevojitet LDK-së, e cila akoma nuk është shëruar nga një Kuvend i tillë i para njëzet viteve. LDK-ja nuk meriton epitafe. Ata që e duan duhet ta duan me besim të plotë se LDK-ja ka potencial, ka forcë vetërregulluese dhe mund të ringritet si subjekt i fortë politik, i cili siguron balancë në ndërtimin demokratik të shtetit të Kosovës. Duhet ta kuptojnë se LDK-ja qëndron para çdo emri të përveçëm; se përveç me kryetarin e saj historik Ibrahim Rugova, LDK-ja nuk identifikohet me asnjë emër të veçantë”, ka thënë ai.
Mustafa ka shtuar se Kuvendi si organi më i lartë i Lidhjes Demokratike të Kosovës do të duhej të sigurojë se LDK-ja nuk është parti as e vjetër as e re, por parti që zhvillohet mbi bazat e përcaktuara 36 vite më parë me aktin themelues të saj si parti konzervatore e qendrës së djathtë me orientim të palëkundur euroatlantik.
“LDK ka nevojë të rikonfirmojë se beteja e saj politike nuk është ankand se kush jap më shumë por ofertë se si ndërtohet një shtet perspektiv, i fortë dhe i qëndrueshëm. Se LDK-ja nuk mund të përdoret si platformë mbi të cilën do të ndërtohet diçka tjetër duke e shfrytëzuar emrin e saj. Reformat në LDK i bëjnë njerëzit të cilët i kanë qëndruar besnik LDK-së, të hapur për ardhjet dhe ardhje të reja dhe njerëz të rinj. LDK-së nuk i nevojiten ndarjet në ne dhe ata; të vjetrit dhe të rinjtë; të mitë dhe të atyre para meje. Ajo ka nevojë të mendojë për forma dhe mekanizma që sjellin sa më shumë anëtarë, simpatizantë dhe votues. Ndërkaq, përgjegjësia në LDK të trajtohet si standard normal i etikës demokratike që nënkupton se rezultati ka pasojë. Kuvendi mund ta gjejë zgjidhjen më të mirë duke vlerësuar se çfarë është e dobishme për rritjen dhe progresin e LDK-së, për forcimin e unitetit të brendshëm të saj, për ofrimin e veprimtarëve dhe veprimtareve, sepse asnjë njeri në LDK nuk është i tepërt!”, ka deklaruar Mustafa.
