
Irani e Izraeli shkëmbejnë sulme ajrore…
Irani e Izraeli shkëmbejnë sulme ajrore, një ditë pasi ShBA goditi objektet bërthamore iraniane
Irani dhe Izraeli kanë shkëmbyer sulme ajrore mëngjesin e së hënës, ndërkohë që Teherani i ka paralajmëruar njëkohësisht Shtetet e Bashkuara se ushtria iraniane i ka tani “duart e lira” për t’i sulmuar objektivat amerikane, një ditë pasi ShBA-ja goditi fuqishëm objektet bërthamore të Teheranit.
Izraeli tha se mbrojtja e tij ajrore është duke punuar për t’i frenuar sulmet, të cilat duket se kishin në shënjestër zonat veriore dhe qendrore të vendit, dhe u kërkoi qytetarëve të shkonin në strehimore, raporton Radio Evropa e Lirë.
Irani e përshkroi sulmin si një valë të re të operacionit “Premtimi i Vërtetë 3”, duke thënë se po sulmonte qytetet izraelite Haifa dhe Tel Aviv, sipas televizionit shtetëror iranian.
Nuk pati raportime të menjëhershme për dëme.
Ndërkohë, në Teheran shpërthime të fuqishme tronditën pjesë të kryeqytetit iranian.
Forca Ajrore Izraelite tha se po godiste shënjestra në Teheran mëngjesin e së hënës, ndërsa dëshmitarët e rastit treguan për shpërthime të fuqishme.
Në një komunikatë, Forca Ajrore Izraelite bëri të ditur se kishte filluar “një seri sulmesh ndaj objektivave ushtarake në Teheran”. Ajo nuk dha më shumë hollësi dhe përmasat e dëmeve nga sulmet nuk ishin menjëherë të qarta.
Ndërkohë, televizioni shtetëror iranian raportoi se objekti bërthamor nëntokësor në Fordo, një nga pikat kryesore të sulmeve të fundjavës nga Shtetet e Bashkuara, u godit përsëri. Mediat izraelite, duke cituar burime të paidentifikuara, thanë se sulmet u kryen ndaj rrugëve që çojnë drejt kompleksit, dhe jo drejtpërdrejt mbi vetë objektin.
Shkëmbimi i zjarrit vjen një ditë pasi Shtetet e Bashkuara u përfshinë drejtpërdrejt në luftën e Izraelit kundër Iranit, duke sulmuar objektet bërthamore iraniane, gjë që ngjalli frikë për një konflikt më të gjerë rajonal.
Irani theksoi se Shtetet e Bashkuara e kanë kaluar “një vijë shumë të kuqe” me vendimin e rrezikshëm për t’i goditur tri objekte me raketa dhe bomba shkatërruese të destinuara për bunkerë.
Të hënën, gjenerali iranian Abdolrahim Mousavi, shefi i shtabit të përbashkët të forcave të armatosura, paralajmëroi Uashingtonin se sulmet amerikane ua kanë mundësuar forcave iraniane të kenë “duar të lira” për të “vepruar kundër interesave të ShBA-së dhe ushtrisë së saj”.
Mousavi e përshkroi sulmin amerikan si shkelje të sovranitetit të Iranit dhe të barasvlershëm me pushtimin e vendit, raportoi agjencia shtetërore iraniane e lajmeve, IRNA.
Pas sulmeve amerikane ndaj Iranit, nga e gjithë bota erdhën thirrje për shtensionim të konfliktit dhe rikthim në diplomaci për të gjetur një zgjidhje.
Të hënën, diplomatja e lartë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, deklaroi se blloku mbetet “shumë i përqendruar në një zgjidhje diplomatike”. “Shqetësimet për hakmarrje dhe përshkallëzimin e luftës janë të mëdha”, tha Kaja Kallas në fillim të një takimi të ministrave të jashtëm në Bruksel, ku Irani u bë tema kryesore në rendin e ditës.
“Sidomos mbyllja e ngushticës së Hormuzit nga Irani do të ishte diçka jashtëzakonisht e rrezikshme dhe e mirë për askënd”, tha Kallas, duke iu referuar një rruge të rëndësishme detare për transportin e naftës.
Pas sulmeve të së dielës, zyrtarët iranianë përsëritën kërcënimet e tyre të kahershme për mundësinë e mbylljes së kësaj rruge kyçe detare.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, mbërriti të hënën në Moskë për takim me presidentin rus, Vladimir Putin, një nga aleatët kyç të Iranit. /REL