Investim në vlerë prej 1.2 milionë euro në Klinikën e Urologjisë

Investim në vlerë prej 1.2 milionë euro në Klinikën e Urologjisë

Sot, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, dr. Arben Vitia, të shoqëruar nga deputetët Haxhi Avdyli dhe Fitore Pacolli, morën pjesë në ceremoninë e përurimit të renovimeve në Klinikën e Urologjisë.

Renovimet në vlerë mbi 1.2 milionë euro janë investime që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve për pacientët dhe, në të njëjtën kohë, lehtësojnë punën e palodhshme të stafit shëndetësor, të cilët japin përkushtimin e tyre maksimal.

Me transformimin e bërë, tashmë secila dhomë ka klimatizim qendror, furnizim me oksigjen dhe sistem të instaluar për thirrjen e infermieres në çdo kohë nga shtrati i pacientit.

Klinika po ashtu ka nyje sanitare me kushte dhe standarde moderne, banjo për persona me aftësi të kufizuara, si dhe dyer të zgjeruara të dhomave, sipas standardit për shtretër të pacientëve.

Duke falënderuar dhe shprehur mirënjohjen e thellë për të gjithë stafin shëndetësor për punën e palodhshme dhe të pakursyer që bëjnë, kryeministri tha se si Qeveri e kanë për obligim t’ua krijojnë kushtet si personelit shëndetësor ashtu edhe pacientëve që marrin trajtim.

Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, dr. Arben Vitia, theksoi se ky transformim është një dëshmi e përkushtimit tonë për të ofruar kujdes shëndetësor cilësor dhe për të mbushur nevojat e pacientëve tanë.