Inspektorati Qendror i Punës ka reaguar lidhur me aksidentin e rëndë në vendin e punës, ku një punëtor humbi jetën dhe një tjetër mbeti i lënduar gjatë montimit të një vinçi (krani) në vendpunishten e subjektit “Vëllezërit Asllani”.
Sipas njoftimit, aksidenti ka ndodhur gjatë fazës së montimit të vinçit, ndërsa theksohet se subjekti nuk kishte qenë i inspektuar më parë nga Inspektorati Qendror i Punës, pasi punimet ndodheshin ende në fazën fillestare të ndërtimit, konkretisht në realizimin e themeleve.
Inspektorati bën të ditur se është ende herët për të nxjerrë përfundime mbi shkakun e aksidentit, pasi rrethanat e rastit kërkojnë hetime dhe ekspertiza të mëtejshme për të përcaktuar shkakun e saktë, si dhe përgjegjësinë për zbatimin e masave të sigurisë dhe shëndetit në punë.
Inspektorët e Punës kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po zhvillojnë veprimet inspektuese në koordinim me institucionet kompetente.
Në fund, Inspektorati Qendror i Punës u ka shprehur ngushëllime familjarëve, të afërmve dhe kolegëve të punëtorit që humbi jetën, ndërsa të lënduarit i ka uruar shërim sa më të shpejtë.

