Inflacioni do të bjerë më 2024, jo domosdo edhe çmimet

Inflacioni do të bjerë më 2024, jo domosdo edhe çmimet

Në raportimet zyrtare këtë vit inflacioni ka rënë, por jo edhe për kuletat e qytetarëve.

“Ky vit ka qenë mjaft i vështirë për të siguruar para për blerjen e produkteve elementare… Nuk pres asnjë ndryshim vitin tjetër”, thotë Mentor Berisha nga Prishtina.

Edhe për bashkëqytetarin e tij, Gafurr Kuqi, “gjithçka ka qenë më shtrenjtë – pemët, perimet, të gjitha”.

Të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës janë për nëntorin dhe, sipas tyre, inflacioni në atë muaj ka qenë 2.9 për qind; në tetor ka qenë 3.3 për qind, në shtator 4.2 për qind…

Për krahasim, vitin 2022 Kosova e ka mbyllur me shkallë mesatare inflacioni gati 12 për qind.

Normës së rritjes së çmimeve – siç njihet inflacioni ndryshe – i ka dhënë shtytje pandemia e koronavirusit në vitin 2020/21, e pastaj edhe pushtimi rus i Ukrainës, më 2022.

Por, gjatë këtij viti, shumica e vendeve kanë raportuar rënie të inflacionit – kryesisht për shkak të stabilizimit të zinxhirit të furnizimeve.

Rënia e inflacionit nuk do të thotë edhe rënie e çmimeve, por do të thotë se çmimet rriten më ngadalë.

Vetëm herë pas here ato mund të bien pak në krahasim me muajin paraprak.

Gjatë këtij viti, REL-i ka raportuar disa herë për çmimet e larta në Kosovë dhe rritjen e vazhdueshme të tyre.

Në mars, çmimi i miellit ka rënë, por jo edhe i bukës. Sipas raportimit të atëhershëm, zbritja e çmimit të bukës nuk ka mundur të bëhet, për shkak të shtrenjtimit të rrymës dhe të fuqisë punëtore.

Në korrik, disa qytetarë që i ka anketuar REL-i, kanë thënë se e kanë të vështirë të bëjnë pushime, për shkak të shtrenjtimit të produkteve bazike dhe shërbimeve.

Ndërsa, në shtator, perimet për turshi kanë qenë “të paprekshme”.

“Vitin e kaluar, nëse i ke marrë specat me thes [3 kilogramë], kanë kushtuar prej 1.5 deri në 1.8 euro. Sivjet, 3 euro e gjysmë është thesi i njëjtë, me kilogramë të njëjtë. Domatet… vjet i kemi marrë me 60 deri në 70 centë për kilogram. Sivjet i ke 1.2 deri në 1.5 euro”, ka treguar atëkohë Amir Simnica, blerës në Tregun e Gjelbër në Prishtinë.