Presidenti Infantino, në një postim në rrjetet sociale, e cilësoi si një privilegj të mirëpriste presidenten Osmani dhe e vlerësoi shumë angazhimin e saj në zhvillimin e futbollit në vendin tonë.

“Ishte privilegj të mirëprisja presidenten e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, në zyrën e FIFA-s në Paris.

Më parë pata nderin të takoja Dr. Osmani gjatë vizitës sime në vendin e saj të bukur në vitin 2022, dhe kjo ishte një mundësi e shkëlqyer për të vazhduar diskutimet tona.

Ne folëm për mënyrën se si futbolli mund t’i bashkojë njerëzit dhe shikuam planet për të vazhduar përmirësimin e infrastrukturës sportive në Kosovë, e cila do të mbështesë lojtarët e rinj të talentuar të vendit për të realizuar potencialin e tyre.

Federata e Futbollit të Kosovës e ka shfrytëzuar shkëlqyeshëm programin FIFA Forward dhe Dr Osmani e kupton qartë rëndësinë e mbështetjes së shtetit në zhvillimin e futbollit për t’u ofruar më shumë mundësi vajzave dhe djemve për të luajtur këtë sport të mrekullueshëm. I urova Dr. Osmani shumë fat dhe i thashë që shteti i saj dhe FFK=ja gjithmonë mund të llogarisin në mbështetjen e FIFA-s për zhvillimin e futbollit”, ka shkruar Infantino.

Presidenti Infantino është një mbështetës i madh i futbollit të Kosovës dhe ka raporte të shkëlqyeshme me Presidentin e FFK-së, Agim Ademi. Ai gëzon simpati të madhe për Kosovën, gjë të cilën e ka theksuar shumë herë, edhe për faktin se vendi ynë u anëtarësua në FIFA në Kongresin e parë të tij si president i këtij institucioni. Ky fakt e bën lidhjen mes Kosovës dhe FIFA-s edhe më të fortë dhe të veçantë, duke nxitur bashkëpunimin dhe përkrahjen e ndërsjellë për zhvillimin e futbollit në vendin tonë.