HomeAktualeInaugurohet zyrtarisht ‘FIFA Talent Academy Kosova’, një hap i madh për zhvillimin...

Inaugurohet zyrtarisht ‘FIFA Talent Academy Kosova’, një hap i madh për zhvillimin e talenteve të rin

spot_img

Futbolli i Kosovës ka shënuar një tjetër moment të rëndësishëm në rrugëtimin e tij të zhvillimit, me inaugurimin zyrtar të “FIFA Talent Academy Kosova”, një projekt i realizuar në bashkëpunim ndërmjet Federatës së Futbollit të Kosovës dhe FIFA-s, i cili synon të krijojë mundësi të reja për identifikimin, zhvillimin dhe avancimin e talenteve të rinj.

Ceremonia inauguruese mblodhi në një vend përfaqësues të FIFA-s, drejtues të FFK-së, përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës, trajnerë, prindër, futbollistë e futbolliste të reja, si dhe figura të rëndësishme të futbollit kosovar dhe të gjeneratës së artë.

Hapja e kësaj akademie përfaqëson një investim të drejtpërdrejtë në gjeneratat e reja dhe në të ardhmen e futbollit kosovar, duke u ofruar fëmijëve mundësi për t’u zhvilluar në një ambient profesional dhe sipas standardeve ndërkombëtare.

Ademi: “FIFA Talent Academy”, dëshmi e besimit të FIFA-s në Kosovë

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, në fjalën e tij vuri në pah rëndësinë historike të inaugurimit të akademisë dhe besimin e madh që FIFA ka treguar ndaj FFK-së dhe potencialit të futbollit kosovar.

Ai theksoi se akademia do të ketë për mision nxjerrjen e gjeneratave të reja të futbollistëve dhe futbollisteve, të cilët në të ardhmen mund të bëhen pjesë e Kombëtares së Kosovës dhe të klubeve që e përfaqësojnë vendin në arenën ndërkombëtare.

“Sot është një ditë e veçantë për Kosovën për faktin që sot në po inaugurohet ‘FIFA Academy’, e cila do të nxjerrë futbollistë dhe futbolliste tek këto troje, tek ky vend, të cilët një ditë sigurisht ndonjëri prej këtyre futbollistëve dhe futbollisteve do ta veshë fanellën e kombëtares sonë të Republikës së Kosovës”, tha Ademi.

Ai u shpreh i bindur se nga kjo akademi do të dalin talente që do t’i bashkohen gjeneratës së artë të futbollit kosovar, duke iu referuar futbollistëve që tashmë kanë shkruar historinë e në futbollin kosovar.

Një rëndësi të veçantë në fjalën e tij i pari i FFK-së ia kushtoi pozitës së Kosovës në kuadër të këtij projekti të FIFA-s. Sipas tij, “FIFA Academy” në Kosovë është e para në rajon dhe Ballkan, e treta në Evropë dhe e 15-ta në botë, në kuadër të 211 federatave anëtare të FIFA-s.

Presidenti Ademi e vlerësoi këtë si një dëshmi të besimit të madh të FIFA-s në FFK-në dhe në potencialin që ka Kosova për zhvillimin e talenteve.

Ai theksoi se përkundër sfidave që Kosova ka pasur ndër vite në aspektin e infrastrukturës dhe kushteve të punës, vendi ka një potencial të jashtëzakonshëm njerëzor.

“Për fatin e mirë ne e kemi talentin, për çka na kanë lakmi pothuajse të gjithë, sepse fëmijët tanë janë fëmijët më të shëndoshë, më të bukur dhe më të përkushtuar në botë”, tha Ademi.

Në këtë kontekst, Ademi falënderoi veçanërisht prindërit për përkushtimin e tyre në edukimin dhe mbështetjen e fëmijëve, duke theksuar se “FIFA Talent Academy” nuk synon vetëm zhvillimin e aftësive futbollistike, por edhe edukimin përmes disiplinës, bashkëpunimit dhe respektit.

Ai nënvizoi gjithashtu se fëmijët pjesëmarrës në akademi vijnë nga klubet e Kosovës, duke e cilësuar punën e klubeve si një nga bazat kryesore mbi të cilat po ndërtohet zhvillimi i futbollit kosovar.

Sipas Ademit, progresi i klubeve në garat evropiane dhe puna e tyre me gjeneratat e reja kanë ndikuar drejtpërdrejt në ngritjen e nivelit të futbollit në Kosovë.

Presidenti i FFK-së shprehu mirënjohje të veçantë për FIFA-n dhe drejtuesit e saj, duke përmendur presidentin Gianni Infantino, shefin e zhvillimit Arsène Wenger dhe drejtorin për Evropën, Elkhan Mammadov, për mbështetjen e dhënë në realizimin e këtij projekti.

Ai falënderoi gjithashtu përfaqësuesit e FIFA-s dhe stafin teknik që kanë qenë të angazhuar në zhvillimin e akademisë.

Në fund të fjalës së tij, Ademi iu drejtua drejtpërdrejt akademistëve të rinj, duke i inkurajuar që ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të synojnë të bëhen pjesë e gjeneratave të ardhshme të arta të Kosovës.

“Jeni akademistët e parë të një akademie, madje jo vetëm në Kosovë, por të një akademie të parë në rajonin tonë. Prandaj sigurisht që jeni të artë qysh tash”, tha Ademi.

Gashani: Investim në potencialin e të rinjve dhe në të ardhmen e sportit

Në ceremoninë inauguruese foli edhe ministri në detyrë i Sportit i Republikës së Kosovës, Blerim Gashani, i cili e vlerësoi hapjen e “FIFA Talent Academy” si një moment të rëndësishëm për futbollin dhe sportin kosovar në përgjithësi.

Ai tha se akademia përfaqëson një hap të rëndësishëm në zhvillimin e futbollit.

“Kjo akademi është një hap përpara në zhvillimin e futbollit dhe përfaqëson një investim në potencialin e të rinjve tanë, në profesionalizmin e sportit dhe në krijimin e mundësive që talentët e Kosovës të zhvillohen sipas standardeve më të larta ndërkombëtare”, tha ai.

Gashani përgëzoi FFK-në dhe FIFA-n për bashkëpunimin dhe përkushtimin e treguar për realizimin e këtij projekti.

Danilevicius: Kosova, e para në Evropë me akademi për djem dhe vajza

Konsulenti teknik rajonal i FIFA-s, Tomas Danilevicius, e vlerësoi lart punën e bërë nga FFK-ja gjatë dy viteve të fundit në kuadër të Talent Development Scheme, duke theksuar se Kosova tashmë ka arritur një pikë të rëndësishme në zhvillimin e këtij projekti.

Ai tha se vetëm dy vjet pas përfshirjes së Kosovës në program, sot mund të flitet me krenari për krijimin e mundësive për të gjithë talentet e rinj, ndërsa theksoi pozitën e veçantë që ka Kosova në Evropë dhe në botë.

“Mund të themi se sot, në vitin 2026, vetëm dy vjet më vonë, mund të jemi krenarë se të gjithë djemtë dhe vajzat në Kosovë do ta kenë mundësinë të zhvillohen. Siç e përmendi edhe presidenti Ademi, kjo është akademia e tretë e këtij lloji në Evropë dhe e 15-ta në botë. Por, zoti President, do të thosha se Kosova është e para në Evropë që e ka akademinë edhe për djem edhe për vajza”, tha ai.

Danilevicius vuri në pah se ky është një moment i rëndësishëm jo vetëm për FFK-në, por për të gjithë futbollin kosovar, pasi mundësia për zhvillimin e talenteve po zgjerohet te të dyja gjinitë.

Ai e konsideroi këtë arritje si dëshmi të punës së përbashkët ndërmjet FIFA-s dhe FFK-së, duke nënvizuar se akademia është vetëm hapi i parë i një procesi që pritet të sjellë rezultate të rëndësishme në vitet e ardhshme.

Më pas, Danilevicius theksoi se synimi është që “FIFA Talent Academy Kosova” të shndërrohet në një pikë referimi për rajonin, duke besuar se përvoja e Kosovës mund të shërbejë si model edhe për federatat e tjera të Ballkanit.

Danilevicius falënderoi edhe prindërit, trajnerët dhe futbollistët e rinj, duke u uruar këtyre të fundit një të ardhme të ndritur dhe duke shprehur dëshirën që gjenerata e re të arrijë edhe më shumë sesa gjenerata e artë e futbollit kosovar.

Ai e mbylli fjalën me një mesazh optimist për të ardhmen: “Dita e inaugurimit është e rëndësishme, por e ardhmja pritet të jetë edhe më e mirë”, tha ai.

Vidarsson: Hapi i radhës, zhvillimi i trajnerëve dhe identifikimi i talenteve

Në ceremoninë inauguruese foli edhe përfaqësuesi tjetër i FIFA-s, përgjegjës për Kosovën, Arnar Vidarsson, i cili u ndal te hapat e ardhshëm të “Talent Development Scheme” në Kosovë.

Ai e cilësoi inaugurimin si një ditë krenarie për FFK-në dhe theksoi se puna e bërë deri tani është vetëm fillimi i një procesi më të gjerë.

Vidarsson bëri të ditur se në muajt e ardhshëm projekti do të hyjë në një fazë të re zhvillimi, ku një rol të rëndësishëm do të ketë përdorimi i teknologjisë në procesin e identifikimit dhe monitorimit të talenteve.

Sipas tij, tashmë ka nisur përgatitja për instalimin e kamerave video, përmes të cilave do të regjistrohen stërvitjet dhe ndeshjet e futbollistëve e futbollisteve të përfshirë në projekt.

Këto të dhëna, sipas Vidarsson, do të ndihmojnë në ndërtimin e një strategjie më të avancuar për identifikimin e talenteve, por edhe në zhvillimin e programeve për edukimin e trajnerëve.

Ai përmendi edhe nisjen e kursit për UEFA Pro Licence në Kosovë, duke e cilësuar atë si një tjetër hap të madh në zhvillimin profesional të futbollit në vend.

Vidarsson vlerësoi edhe punën e bërë në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet FIFA-s dhe FFK-së, përfshirë punëtoritë e zhvilluara gjatë muajve të fundit, të cilat synojnë forcimin e mëtejshëm të këtij partneriteti.

Inaugurimi i “FIFA Talent Academy Kosova” shënon një etapë të re në procesin e zhvillimit të futbollit të moshave në vend.

Përmes këtij projekti, FFK dhe FIFA synojnë që talentet e reja të kenë qasje në një sistem të organizuar të identifikimit, zhvillimit dhe monitorimit, duke krijuar një bazë më të fortë për gjeneratat e ardhshme të futbollit kosovar.

Ceremonia pati edhe pjesën artistike, ku interpretoi kori i fëmijëve ”Okarina”. Pas ceremonisë, protagonistët e vërtetë të këtij projekti –futbollistët dhe futbollistet e reja iu drejtuan fushës për të vazhduar punën, stërvitjen dhe rrugëtimin e tyre.

Lajmet e Fundit

Kurti: Marrëveshja politike me LDK-në është e vlefshme – zgjedhjet sjellin rezultat të njëjtë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se nevojiten negociata shteruese mes LVV-së dhe...

Ballkani U19 mëson kundërshtarin në UEFA Youth League

Ballkani U19 ka mësuar kundërshtarin për raundin e parë të UEFA Youth League. Në shortin...

Abdixhiku: Ata që s’respektojnë vendimet e LDK-së, së paku duhet ta dorëzojnë mandatin

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka folur për mundësinë e masave disiplinore ndaj atyre...

Rama: Qeveria që duhej t’i zhvillonte komunat, sot është arsyeja pse ato protestojnë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për, siç ka thënë,...

Më të lexuarat

Shteti duhet të fitojë mbi pushtetin

Shkruan: Hisen Berisha Kosova po përballet me një krizë që nuk mund të shpjegohet vetëm...

Pasiguria politike ka çmim, ekonomia e Kosovës po e paguan faturën

Shkruan: Safet Gërxhaliu Nëse e shohim situatën e Kosovës në vitin 2026, ekonomia vazhdon të...

Kosovë,

Shkruan: Valon Murtezaj ka ardhur koha që të kujtojmë, dhe kuptojmë se, politika përveç që...