Inaugurohet Qendrës Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike

Inaugurohet Qendrës Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike

Në Kazermën e FSK-së “Adem Jashari” në Prishtinë u mbajt të martën ceremonia e inaugurimit të Qendrës Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike.

Në këtë inaugurim morën pjesë kryeministri Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, drejtori i NALT, gjeneral brigade Ralf Peter Hammerstein, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, si dhe zyrtarë dhe oficerë të lartë të MM/FSK si dhe të vendeve partnere ndërkombëtare.

Në fjalën e tij, drejtuar të pranishmëve të këtë ceremoni, kryeministri Kurti ka theksuar se ndjen kënaqësi për shënimin e një momenti të rëndësishëm në rrugën që po e ndjek edhe Kosova drejt një hapësire kibernetike më të sigurt, duke shtuar se inaugurimi i kësaj qendre paraqet një angazhim, përkushtim dhe arritje domethënëse në këtë drejtim.

“Viti i kaluar ka qenë vit i progresit të shumë iniciativave dhe politikave tona në fushën e sigurisë kibernetike. Trajnimet që do të bëhen në këtë qendër do të adresojnë objektivat qenësore për zhvillimin e kapaciteteve njerëzore për sigurinë kibernetike dhe krijimin e vetëdijes kolektive për rreziqet kibernetike”, ka thënë Kurti.

Ndërsa, ministri Maqedonci në fjalën e tij ka bërë me dije se Qendra Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike do të ofrojë trajnime me qëllim të ngritjes së ndërgjegjësimit për rreziqet në fushën e sigurisë kibernetike, do të përmirësojë aftësitë profesionale dhe të ndihmojë në ngritjen e niveleve të sigurisë kibernetike të institucioneve qeveritare, operatorëve të shërbimeve esenciale dhe ofruesve të shërbimeve digjitale, për të arritur kapacitetet për mbrojtjen e infrastrukturës kritike në vend.

Po ashtu, ministri Maqedonci ka falënderuar kryeministrin Kurti, Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar dhe Ambasadën e ShBA-së, të cilët mundësuan realizimin e këtij projekti me interes të lartë shtetëror.

Kurrikula për Qendrën Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike, që përbën një element thelbësor në zbatimin e Strategjisë kombëtare të sigurisë kibernetike, është hartuar në mbështetje nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar dhe është implementuar nga Qendra e Gjenevës për Qeverisjen e Sektorit të Sigurisë (DCAF) me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtar.

Përmes zbatimit të kësaj kurrikule, kjo qendër përbën një shtyllë të re rëndësishme të mbrojtjes së sigurisë së vendit.