Ilir Shaqiri rikthehet në ekran me një emision që lidhet me diasporën

Ilir Shaqiri rikthehet në ekran me një emision që lidhet me diasporën

Ilir Shaqiri, i ftuar mbrëmë (12 prill 2024) në “Cherry on Top”, zbuloi se shpejt do t’i kthehet ekranit, me një emision që përqendrohet tek talentet e shqiptarëve që jetojnë në diasporë.

Ai do të jetë moderatori dhe autori i emisionit “Yjet Shqiptarë të Diasporës”, i cili ka si qëllim promovimin e talenteve të njerëzve që jetojnë larg atdheut. Sipas Ilirit, çdo i ri i talentuar me prindër shqiptarë, do të ketë shansin të tregojë aftësitë e tij dhe të mund të jetë një yll.

“Ne jemi një popull që vlejmë dhe këtë po e demonstrojmë sot më shumë se dikur. Çdo njeri që ka një baba, nënë (shqiptar/e), ose që ka lindur në Shqipëri dhe më vonë, jeta e ka përplasur përtej kufijve, do të ketë shansin e jashtëzakonshëm që të prezantohet në të gjitha ato që janë gjinitë e artit skenik; të tregojë vetveten dhe atë që dëshiron të jetë një ditë. Ndoshta, pse jo, të jetë edhe një figurë primare në Top Channel. Këtu do të bëhet një super finale, me talente nga e gjithë bota”, tha Iliri.

Iliri do të shkojë në qytete të ndryshme të Europës dhe në SHBA, për të identifikuar të rinjtë me origjinë shqiptare. Në spektaklin “Yjet Shqiptarë të Diasporës”, do të ketë disa kategori, që lidhen me artin skenik: kërcim; interpretim; muzikë; këngë; performues etj. Pjesëmarrësit do të mund të aplikojnë përmes plotësimit të formularit dhe dërgimit të një videoje, duke shpalosur aftësitë e tyre në gjininë dhe zhanerin në të cilin janë të interesuar.