HomeAktualeIKD kritikon legjislaturën e dhjetë: Procedura të përshpejtuara, debat i kufizuar dhe...

IKD kritikon legjislaturën e dhjetë: Procedura të përshpejtuara, debat i kufizuar dhe mungesë transparence

spot_img

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me mbështetjen e Fondacionit “Rockfeller Brothers”, ka publikuar raportin “Monitoruesi i Legjislaturës së X”, përmes të cilit është bërë një analizë e funksionimit të Kuvendit të Kosovës gjatë kësaj legjislature, duke trajtuar mënyrën e funksionimit parlamentar, procesin legjislativ, mbikëqyrjen parlamentare, transparencën institucionale dhe respektimin e standardeve kushtetuese e demokratike.

Në prezantimin e raportit, hulumtuesi i lartë i IKD-së, Naim Jakaj, theksoi se mbi 40 për qind e seancave të Kuvendit kanë qenë seanca të jashtëzakonshme, çka sipas tij tregon për një orientim të shumicës parlamentare drejt menaxhimit të agjendës parlamentare përmes procedurave të përshpejtuara, duke reduktuar hapësirën për debat substancial parlamentar dhe shqyrtim të mirëfilltë të projektligjeve.
Sipas tij, kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e procesit legjislativ dhe në rolin mbikëqyrës të Kuvendit ndaj institucioneve ekzekutive.

Raporti evidenton se gjatë kësaj legjislature janë miratuar një numër i konsiderueshëm ligjesh me procedura të përshpejtuara, shpesh pa konsultime të mjaftueshme publike dhe pa trajtim adekuat të rekomandimeve të institucioneve të pavarura, shoqërisë civile apo opozitës parlamentare.

Në raport theksohet se përdorimi i shpeshtë i procedurave emergjente ka krijuar vështirësi në garantimin e standardeve të transparencës dhe gjithëpërfshirjes në procesin ligjbërës.
Po ashtu, në raport trajtohet mënyra e formimit të Qeverisë, për të cilën IKD ka vlerësuar se është zhvilluar me mungesë transparence dhe me debat të kufizuar parlamentar.

Sipas të gjeturave të raportit, opozita ka pasur aktivitet minimal gjatë seancës për votimin e Qeverisë, duke ndikuar në dobësimin e kontrollit parlamentar dhe llogaridhënies demokratike ndaj ekzekutivit.
Një pjesë e rëndësishme që përmendet në raport ka të bëjë me respektimin e aktgjykimeve të Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dhe ndikimit të tyre në procesin legjislativ.

IKD ka ngritur shqetësimin për mosmiratimin e amendamentit që synonte zbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me pagesën e përvojës së punës për zyrtarët publikë. Sipas raportit, moszbatimi i aktgjykimeve të Kushtetueses mbetet një nga problemet më serioze në funksionimin demokratik të institucioneve dhe në garantimin e sundimit të ligjit.
Tutje, raporti nxjerr në pah edhe nivelin e angazhimit të deputetëve në punën parlamentare.
Sipas të dhënave të prezantuara nga IKD, 26 deputetë nuk kanë mbajtur asnjë deklaratë parlamentare gjatë gjithë legjislaturës, çka sipas IKD-së ngre shqetësime serioze për ushtrimin efektiv të mandatit të deputetit dhe përfaqësimin e interesit qytetar në Kuvend.

Në panelin diskutues të organizuar pas prezantimit të raportit, deputeti i Partia Demokratike e Kosovës, Arben Mustafa, deklaroi se shumica parlamentare ka qenë më shumë e fokusuar në përgatitje për zgjedhje sesa në një agjendë serioze shtetërore dhe legjislative. Sipas tij, gjatë gjithë legjislaturës janë përsëritur të njëjtat premtime politike, ndërsa rezultatet konkrete në shumë sektorë kanë munguar.
Ndërkaq, deputeti i Lëvizja Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, deklaroi se shumica parlamentare ka vepruar me ritëm të shpejtë për shkak të nevojës për vendimmarrje efikase dhe jo për të shmangur demokracinë parlamentare.

Ai theksoi se dinamika e zhvillimeve politike dhe nevoja për adresimin e çështjeve të rëndësishme shtetërore kanë kërkuar procedim më të shpejtë të agjendës parlamentare.

Po ashtu, deputeti i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, deklaroi se kjo legjislaturë “ka nisur dhe ka përfunduar mbrapsht”, duke kritikuar mungesën e bashkëpunimit politik, polarizimin institucional dhe mënyrën e menaxhimit të proceseve parlamentare gjatë mandatit.
Në përfundim, IKD vlerësoi se legjislatura e dhjetë është karakterizuar nga një nivel i lartë i dominimit të agjendës nga shumica parlamentare, përdorim i shpeshtë i procedurave të përshpejtuara, debat i kufizuar parlamentar dhe sfida të vazhdueshme në raport me respektimin e standardeve kushtetuese dhe demokratike.
Përmes këtij raporti, IKD ka bërë thirrje që legjislaturat e ardhshme të garantojnë më shumë transparencë, debat parlamentar substancial, respektim të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe një rol më aktiv të deputetëve në ushtrimin e funksionit të tyre kushtetues dhe përfaqësues.

Lajmet e Fundit

Dehari thërret seancën e Kuvendit më 9 shtator

Kryesuesi i Seancës Konstitutive të Kuvendit, Avni Dehari, ka njoftuar se vazhdimi i seancës...

FC Malisheva zyrtarizon transferimin e Rimal Haxhiut

FC Malisheva ka zyrtarizuar transferimin e Rimal Haxhiut, i cili është bërë pjesë e...

Gjini: Suksesi në “Taranto 2026”, motivim i madh para Lojërave Mesdhetare 2030 që mbahen në Kosovë

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka përgëzuar sportistët kosovarë për suksesin e arritur në...

Prokuroria dorëzon aktakuzë për 35 persona për vrasjen e civilëve në lagjen e Jasharëve në Prekaz

Prokuroria Speciale e Kosovës ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë aktakuzë në mungesë...

Më të lexuarat

Shteti duhet të fitojë mbi pushtetin

Shkruan: Hisen Berisha Kosova po përballet me një krizë që nuk mund të shpjegohet vetëm...

Pasiguria politike ka çmim, ekonomia e Kosovës po e paguan faturën

Shkruan: Safet Gërxhaliu Nëse e shohim situatën e Kosovës në vitin 2026, ekonomia vazhdon të...

Kosovë,

Shkruan: Valon Murtezaj ka ardhur koha që të kujtojmë, dhe kuptojmë se, politika përveç që...