IKD: Dita e punës e gjen Kosovën me probleme të vjetra

IKD: Dita e punës e gjen Kosovën me probleme të vjetra

Instituti i Kosovës për Drejtësi, në vazhdën e monitorimit të zbatimit të legjislacionit në fushën e të drejtave sociale, ka përcjellë veprimet e Qeverisë, Kuvendit dhe agjencive ekzekutive në përmbushjen e obligimeve brenda fushëveprimit të tyre dhe me rastin ne Ditës Ndërkombëtare të Punës, gjen se Qeveria dhe Kuvendi dështuan të ndërmarrin veprimet e duhura në fushën sociale, përfshirë në miratim e zbatim të ligjeve në këtë fushë.

IKD gjen Qeveria e Kosovës, e dalë nga legjislatura e tetë, ka dështuar jo vetëm të miratojë pjesën më të madhe të ligjeve në fushën sociale, por edhe të zbatojë ligjet ekzistuese. Po ashtu, ajo nuk ka arritur të sigurojë mbrojtje kolektive për punëtorët. Në anën tjetër, Kuvendi i Kosovës ka dështuar të zgjedhë një përfaqësues të sindikatave në Bordin e Fondit të Kursimeve Pensionale dhe nuk ka ushtruar në mënyrë efektive funksionin mbikëqyrës ndaj Qeverisë. Vetëm gjatë dymbëdhjetë viteve të fundit, sipas statistikave zyrtare dhe të dhënave nga sindikatat, në vendet e tyre të punës kanë humbur jetën 263 punëtorë, 12 vetëm në vitin 2024, ndërsa në pesëmujorin e parë të këtij viti kemi 10 raste të vdekjes në vendin e punës.