
Hyseni diskuton synimin e hartimit të ligjit për Zyrën për Rikthimin e Aseteve
Udhëheqësi i Zyrës për Rikthimin e Aseteve, prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Bahri Hyseni, priti sot në takim të përbashkët përfaqësuesit e Qendrës AIRE – Programi i Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesit e Ambasadës Britanike në Prishtinë.
Në kumtesën për media theksohet se Hyseni i njoftoi të pranishmit për rolin e Zyrës për Rikthimin e Aseteve dhe hapat të cilat janë ndërmarrë lidhur me funksionalizimin e saj.
Po ashtu, gjatë këtij takimi u diskutua edhe synimi i zyrës që në të ardhmen të bëhet hartimi i ligjit për Zyrën për Rikthimin e Aseteve, bazuar në rekomandimet e Direktivës së BE-së, e cila ndër tjerash e obligon çdo shtet për themelimin e zyrave të tilla.
“Përfaqësuesit e Qendrës AIRE, e cila është e përkushtuar për të forcuar kapacitetet e sistemeve gjyqësore në rajon për të trajtuar këto sfida, mes tjerash përmes përdorimit efektiv të rikuperimit të pasurive si mjet për të luftuar dhe penguar aktivitetet kriminale dhe ato financiare ilegale, ofruan trajnime dhe vizita studimore në vendet e Ballkanit Perëndimorë për zyrtarët e Zyrës për Rikthim të Aseteve, me qëllim të operimit sa më efikas dhe efektiv të kësaj zyreje”, thuhet tutje në njoftim.
Nga ana tjetër, theksohet se edhe në këtë takim përfaqësuesit e Ambasadës Britanike në Kosovë, shprehën gatishmërinë e tyre për bashkëpunim me këtë Zyrë, duke ofruar ndihmë në hartimin e koncept dokumentit për Ligjin për Zyrën për Rikthim të Aseteve dhe lidhjen e marrëveshjeve për bashkëpunim në mes kësaj zyreje dhe zyrave homologe në vendet e Ballkanit Perëndimor.