Hoxhaj për vdekjen e Mario Brunettit: Humbje jo vetëm për arbëreshët dhe Italinë, por edhe për Kosovën
Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka shkruar në “Facebook” për vdekjen e politikanit shumë të njohur arbëresh, për shumë mandate deputet në parlamentin italian, Mario Brunetti.
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Hoxhaj, ka thënë se shuarja nga jeta e Mario Brunettit, politikan shumë i njohur arbëresh, për shumë mandate deputet në Parlamentin Italian dhe intelektual i shquar, me libra dhe botime të shumta mbi politikën, shoqërinë dhe ideologjinë, është një humbje jo vetëm për arbëreshët dhe Italinë në përgjithësi, por edhe për Kosovën, Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët.
“Për herë të parë për Mario Brunettin dëgjova para 30 vitesh, kur në mediat evropiane raportohej se si ai në vitin 1990 në Parlamentin italian mbronte kauzën e Kosovës për liri. Pata fat ta takoja dhe ende e kam të gjallë pasionin e madh dhe gëzimin që kishte, duke e parë si përmbushje të tij politike dhe kombëtare shpalljen e pavarësisë së shtetit të Kosovës! Për këtë do t’i jemi mirënjohës!”, ka shkruar Hoxhaj.
Ai ka theksuar se Brunetti do të jetojë përherë në mendjen dhe zemrat e arbëreshëve të tij.
“Kështu më thanë arbëreshët kur gjatë nëntorit të vitit 2023 vizitova disa vendbanime arbëreshe të Italisë, dhe më treguan se si Mario Brunetti gëzonte mirënjohje për iniciativën e tij për ruajtjen e zhvillimin e identitetit, gjuhës dhe kulturës arbëreshe, duke u mbështetur në një ligj të veçantë nga Parlamenti italian, ligj për njohjen ligjore të komunitetit arbëresh si komunitet me statusin e pakicës gjuhësore historike. Pusho në paqe arbëresh i madh!”, ka shkruar Hoxhaj.