Hoxhaj: Kosova duhet të jetë ndër vendet e para që e njeh qeverinë e re të Sirisë

Hoxhaj: Kosova duhet të jetë ndër vendet e para që e njeh qeverinë e re të Sirisë

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka thënë se sot Lindja e Mesme po kalon një nga momentet më të rëndësishme në dekada.

Në një postim në Facebook, ai ka thënë se me rënien e regjimit të Bashar al-Assadit, Kosovës i hapet një mundësi e re për të tejkaluar kundërshtimin e Iranit ndaj pavarësisë së saj, në vende si Siria, Libani dhe Iraku, të cilat sipas tij, po dalin nga orbita e ndikimit iranian, falë politikës së mençur të Turqisë dhe Izraelit.

“Sot, qeveria e Kosovës nuk ka ende qëndrim për këto zhvillime dhe se si t’i përdorë ato për njohjen e mëtejshme të Kosovës. Kosova duhet të jetë ndër vendet e para që njohin qeverinë e përkohshme të Sirisë, një vend ku Serbia ishte aleate e regjimit brutal të Assadit, dhe të kthejë këtë moment në favor të njohjes së Kosovës nga Libani dhe Iraku”, ka shkruar Hoxhaj.

Postimi i Hoxhajt:

Në vitin 2011, sapo isha bërë Ministër i Jashtëm, ndodhi Pranvera Arabe, një ndryshim tektonik në botën arabe. Atë mundësi, në një rajon të ngurtë ndaj pavarësisë së Kosovës, e përdorëm për të marrë njohjen e Kosovës nga Kuvajti, Egjipti, Libia, Jemeni dhe për të hapur komunikimet me Tunizinë dhe Marokun, që mbështetën anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Me shtetet arabe sunite, Kosova krijoi një raport të ri. Kundër Kosovës ishin Irani dhe vendet nën ndikimin e Teheranit.

Sot, Lindja e Mesme po kalon një nga momentet më të rëndësishme në dekada. Me rënien e regjimit të Bashar al-Assadit, Kosovës i hapet një mundësi e re për të tejkaluar kundërshtimin e Iranit ndaj pavarësisë së saj, në vende si Siria, Libani dhe Iraku, të cilat po dalin nga orbita e ndikimit iranian, falë politikës së mençur të Turqisë dhe Izraelit.

Sot, qeveria e Kosovës nuk ka ende qëndrim për këto zhvillime dhe se si t’i përdorë ato për njohjen e mëtejshme të Kosovës. Kosova duhet të jetë ndër vendet e para që njohin qeverinë e përkohshme të Sirisë, një vend ku Serbia ishte aleate e regjimit brutal të Assadit, dhe të kthejë këtë moment në favor të njohjes së Kosovës nga Libani dhe Iraku. Diplomacia e Kosovës duhet të dalë nga moratoriumi i vetë-imponuar ndaj njohjes ndërkombëtare të shtetësisë së Kosovës.