Hovenier uron Ditën e Kushtetutës: Jemi krenarë me popullin e Kosovës

Hovenier uron Ditën e Kushtetutës: Jemi krenarë me popullin e Kosovës

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, në 16-vjetorin e miratimit të Kushtetutës së Kosovës, deklaroi se SHBA-të janë krenare për mbështetjen ndaj popullit të Kosovës deri në përmbushjen e vizionit të përcaktuar në kushtetutë për një Kosovë të lirë, demokratike e paqedashëse.

“Gëzuar Ditën e Kushtetutës, Kosovë! Kosovarët e kanë përfshirë në kushtetutën e tyre vendosmërinë për të ‘ndërtuar një të ardhme si një vend i lirë, demokratik dhe paqedashës që do të jetë atdhe për të gjithë qytetarët e saj…’. Jemi krenarë për mbështetjen tonë teksa jemi partnerë me popullin të Kosovës për të arritur vizionin e përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës”.

Sot bëhen 16 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Kosovës (9 prill 2008) që e nxori Kosovën nga administrimi ndërkombëtar në bazë të rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara (OKB), ndërsa Kuvendi i Kosovës, dy muaj më pas, ratifikoi aktin më të lartë juridik i cili më 15 qershor të të njëjtit vit hyri në fuqi – një zhvillim që e futi Kosovën në një rrafsh të ri politiko-juridik.

Një pjesë e madhe e dokumentit bazë të shtetësisë rrjedh nga Plani i Ahtisaarit, i cili garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ky akt juridik e definon Kosovën si një shtet civil e multietik që përbëhet nga shqiptarët dhe komunitetet tjera etnike, si dhe e definon Kosovën si një shtet laik. Kushtetuta e Kosovës njeh dy gjuhë zyrtare.

Kushtetuta e Kosovës, ndonëse një prej kushtetutave më liberale për sa u përket të drejtave të komuniteteve etnike, megjithatë ofron zgjidhje etnike në vend të zgjidhjeve civile. Në këtë rrugë të ndërtimit konstitucional të Kosovës – shtet sovran – kosovarët janë përballur me sfida të mëdha, posaçërisht sa i përket akomodimit të pakicës etnike serbe në pjesën veriore të vendit.

Megjithatë, përkundër se ligjshmëria kushtetuese është e pacënueshme, dokumenti mbi të cilin funksion jeta politike dhe juridike në vend është shkelur disa herë pothuajse nga të gjitha institucionet e larta shtetërore – sikurse nga pushteti legjislativ, ashtu edhe nga pushteti ekzekutiv.