Hovenier për dinarin: Kjo situatë e ka prekur cilësinë e partneritetit mes dy qeverive tona

Hovenier për dinarin: Kjo situatë e ka prekur cilësinë e partneritetit mes dy qeverive tona

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, e ka përmendur edhe njëherë deklaratën e Ndihmës-sekretarit të Shtetit, James O’Brien, në të cilën thuhet se janë prekur relacionet e Kosovës dhe ShBA-së pas Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës për dinarin.

Ai, në një konferencë të jashtëzakonshme, ka thënë se situata e shkaktuar e ka prekur cilësinë e partneritet ShBA-Kosovë.

“Ka deklarata publike se partneriteti Kosovë-ShBA nuk është prekur apo nuk mund të preket nga kjo situatë. Më duhet të jem i qartë, se kjo nuk është e vërtetë, thjeshtë nuk është çështja aty. Siç e ka thënë Ndihmës-sekretari i Shtetit, James O’Brien, kjo situatë e ka prekur cilësinë e partneritetit midis dy qeverive tona”.

“Çdo sugjerim në të kundërtën e kësaj shpreh keqkuptim apo keqshprehje ndaj çështjes dhe zgjidhjes që u përgjigjet kërkesave dhe brengave tona, sidomos në një mënyrë që të ofrohet mbështetje për komunitetet e cenueshme në Kosovë”, ka thënë Hovenier.