Hovenier i kërkon Qeverisë ta çojë përfaqësuesin e saj në dialogun për dinarin
Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeff Hovenier, në një bashkëbisedim me gazetarë gjatë të enjtes ka folur për çështjen problematike të dinarit, për të cilën edhe është mbajtur një takim në Bruksel, takim në të cilin kryenegociatori Besnik Bislimi ka refuzuar të shkojë me arsyetimin se dinari s’mund të jetë temë e Dialogut.
Hovenier ka thënë se mënyra se si do të implementohet Rregullorja e re të BQK-së, sigurisht që është pjesë e dialogut.
“Kjo është çështje e dialogut. Dhe nuk është vetëm çështje teknike. Ne nuk besojmë se shërbimet duhet të kenë veto, lidhur me atë se si do të ofrohet kjo mbështetje, por mendojmë se duhet të ketë konsultime për këtë dhe të ketë pajtime sepse duhet të jetë pjesë e sistemit. Kjo është e gjitha. E vlerësoj se më keni dhënë mundësinë që të paraqes se cilat janë dhe nuk janë shqetësimet tona. Por do të kundërshtoj këdo që thotë se Shtetet e Bashkuara po tentojnë që ta bëjnë rregullimin e valutave një çështje dialogu, sepse ne nuk po e bëjmë këtë, ne po tentojmë që kjo të jetë pjesë e dialogut, mënyra se si ky rregullim zbatohet për t’u siguruar që bëhet në mënyrë të përgjegjshme për komunitetet e ndjeshme dhe të prekura. Dhe se Serbia gjithashtu të ketë një zë në këtë sistem, nëpërmjet të cilit do të zbatonte dhe të shfrytëzonte mbështetjen”, ka thënë Hovenier.
Diplomati amerikan ka thënë se në këto diskutime Kosova duhet të ketë përfaqësuesit e saj të cilët kanë fuqinë për të adresuar disa prej çështjeve politike që janë pjesë e diskutimeve.
“Andaj unë shpresoj se qeveria e Kosovës, përderisa kemi respektin më të lartë për guvernatorin e Bankës Qendrore, duhet të ketë individë të cilët përfaqësojnë Kosovën në këto diskutime të cilët janë të fuqizuar dhe që kanë aftësinë dhe autoritetin që të adresojnë disa prej çështjeve politike të cilat janë pjesë e madhe e kësaj çështjeje”, ka thënë Hovenier.
Emisari sllovak Miroslava Lajcak pas takimeve në Bruksel me Petar Petkoviq dhe Guvernatorin e BQK-së, Ahmet Ismaili, ka vlerësuar se takimi ka qenë një hap i parë i mirë, megjithatë kishte deklaruar se kanë mbetur edhe shumë çështje politike pa përgjigje.