Hovenier: Duam bashkëpunim më të ngushtë me qeverinë, por s’po e shohim të ndodhë

Hovenier: Duam bashkëpunim më të ngushtë me qeverinë, por s’po e shohim të ndodhë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se nuk është kurrfarë sekreti se ShBA-të duan të shohin në disa fusha bashkëpunim më të ngushtë me qeverinë e kryeministrit Albin Kurti.

Hovenier tha se këtë e thotë hapur dhe sipas tij, në lidhje me bashkëpunimin me qeverinë s’ka planifikuar domosdoshmërisht të flasë, por tha se ka pasur edhe një çështje tjetër, pikërisht këtë javë, ku Policia e Kosovës “me udhëzimin e ministrit të Brendshëm, kreu operacione në veri të Kosovës, në mënyrë që ne menduam se nuk kontribuon në synimet tona afatgjate për stabilitetin dhe sigurinë”.

“Ne i ngritëm shqetësimet tona. Por, rezultati i këtij operacioni që qeveria e vijoi – dhe e bëri këtë veprim policor në një mënyrë që ne menduam se nuk ishte i koordinuar dhe që vinte në pikëpyetje përkushtimin e Kosovës për zgjidhjen e disa çështjeve në dialog – rezultoi me deklarata publike nga Shtetet e Bashkuara, nga Bashkimi Evropian, shtetet individuale anëtare të BE-së, misioni i NATO-s, misioni i OSBE-së, të tjerët – të gjithë pak a shumë thanë të njëjtën gjë: kjo nuk është mirë për Kosovën”.

“Ne duam ta shohim Kosovën përpara dhe pa marrë parasysh a pajtoheni me interpretimin tonë apo me interpretimin e qeverisë për këtë veprim, nëse Kosova dëshiron të ecë drejt strukturave evropiane dhe euroatlantike, ajo duhet të kenë mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, shteteve individuale të BE-së, misionit të OSBE-së, NATO – pikërisht të këtyre institucioneve në të cilat Kosova dëshiron të anëtarësohet. Pra, ne duam që qeveria të punojë me ne”, tha Hovenier për RTK-në, transmeton Klankosova.tv.

Hovenier tutje tha se ShBA-të dhe partnerët ndërkombëtarë pajtohen me përgjegjësinë e qeverisë për ta ushtruar sovranitetin mbi territorin e saj, por tha se mënyra se si bëhet kjo, duhet ë jetë në koordinim me aleatët e Kosovës.

“Ne pajtohemi me përgjegjësinë e qeverisë për të ushtruar sovranitet mbi tërë territorin e saj. Në këtë rast, ne jemi dakord që Banka Qendrore duhet të rregullojë institucionet financiare, por mënyra se si bëhet kjo duhet të jetë koordinim me ne për t’u siguruar që veprimet nuk vënë domosdoshmërish në pikëpyetje ose nuk pengojnë diskutimet e vazhdueshme në dialog apo nuk krijojnë sfida apo japin sinjale shtesë për një komunitet pakicë”.

“Ne duam atë nivel bashkëpunimi. Shpresoj se do ta kemi atë, por duhet të them se më është dashur ta them këtë disa herë dhe nuk e kam parë ende atë rritje në bashkëpunim që shpresojmë ta shohim”, tha ai.