Hovenier: Agjentë të FBI-së janë angazhuar në hetimet pas sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit

Hovenier: Agjentë të FBI-së janë angazhuar në hetimet pas sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të premten se agjentë amerikanë të Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) janë të angazhuar drejtpërdrejt në Kosovë, në hetimet për të gjetur fajtorët mbrapa sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit.

Kanali i Ibër-Lepencit është sulmuar më 29 nëntor në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut – komunë me shumicë serbe në veri të vendit.

Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

Hovenier, ambasador në shkuarje, ka thënë në një intervistë për televizionin Klan Kosova, se hetimet për të gjetur përgjegjësit janë duke vazhduar dhe SHBA-ja po ndihmon në këtë proces.

“Kemi sjellë mbështetjen e FBI-së këtu në Kosovë për të punuar drejtpërdrejt me kohë të plotë me autoritetet për zbatim të ligjit, për të identifikuar përgjegjësit”, ka thënë Hovenier, i cili e ka dënuar edhe një herë sulmin.

Aktualisht, ai ka thënë se nuk mund të përcaktojë se kush është mbrapa sulmit.

Policia e Kosovës ka thënë se sulmi është kryer me lëndë shpërthyese deri në 20 kilogramë.