Hoti: Sa isha kryeministër, kam kërkuar nga Izraeli heqjen e vizave për Kosovën
Ish-kryeministri Avdullah Hoti, është shprehur i lumtur për vendimin e fundit të Qeverisë së Izraelit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Gjatë mandatit të tij si kryeministër, Hoti vlerësoi njohjen e shtetit të Kosovës nga ana e Izraelit si një hap të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërkombëtare.
“Është një gëzim i veçantë të dëgjoj se tani, si Kryetar i Grupit të Miqësisë Kosovë-Izrael, lëvizja pa viza në Izrael do të jetë një realitet,” tha Hoti.
“Përpjekjet tona si Grup i Miqësisë kanë qenë të palodhshme në fuqizimin e bashkëpunimit ekonomik dhe diplomatik me Izraelin, dhe liberalizimi i vizave ishte një nga synimet kryesore që i parashtruam gjatë vizitës sonë atje.”
“Kjo është një hap i madh që hap dyer të reja për qytetarët dhe bizneset tona për të ndarë dhe pasuruar përvojat reciprokisht”, u shpreh ai.
“Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe të gjithë miqtë e saj të çmuar”, tha në fund.
Ndërkaq, sipas njoftimit të Presidencës, ky vendim i Izraelit – i cili është vendi i fundit që e njohu pavarësinë e Kosovës para rreth tri vjetëve, do të hyjë në fuqi pas nënshkrimit të marrëveshjes.