Hoti, qeverisë: Ndihma e njëhershme nuk është zgjidhje për inflacionin

Hoti, qeverisë: Ndihma e njëhershme nuk është zgjidhje për inflacionin

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka theksuar se ndihma e njëhershme nuk është zgjidhje për zbutjen e pasojave të inflacionit në vend.

Hoti duke iu referuar statistikave të ASK-së thotë se 43.4% e familjeve nuk mund të përballojnë një shpenzim të papritur prej 100 eurove nga burimet e tyre vetjake.

“Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës: 43.4% e familjeve nuk mund të përballojnë një shpenzim të papritur prej 100 eurove nga burimet e tyre vetjake; 49.2% e familjeve nuk mund të mbulojnë shpenzimet e një shujte çdo dy ditë që përfshinë mishin, pulën dhe peshkun; 48.8% e familjeve kanë deklaruar se pagesa e borxheve është barrë e rëndë financiare; 8.1% e familjeve kishin vështirësi të mëdha, ndërkaq 20.1% përballeshin me vështirësi, në kryerjen e pagesave të nevojshme të zakonshme të familjes, marrë parasysh të ardhurat. Shkaktari burimor i kësaj situate është inflacioni”, ka thënë Hoti, duke shtuar se thellimi i krizës erdhi si rezultat i mungesës së masave adekuate për të zbutur pasojat e inflacionit për familjet.

“E kemi ngritur vazhdimisht në Kuvend dhe jashtë Kuvendit, se ndihma e njëhershme nuk është zgjidhje për zbutjen e pasojave të inflacionit. Tani këtë po e dëshmojnë statistikat e Qeverisë. Zgjidhja është: (1) indeksimi i pensioneve dhe asistencës sociale, së paku aq sa ka qenë inflacioni, në mënyrë që të ruhet standardi minimal i jetës së familjeve më të cenueshme nga inflacioni, si dhe (2) zgjerimi i përkohshëm i listës së mallrave me normë të reduktuar të TVSH-së prej 8 për qind”, ka deklaruar Hoti.