Hoti ia përmend Kurtit 205 mijë nënshkrimet kundër Asociacionit, pas letrës që ia çuan Bakoyannisit

Hoti ia përmend Kurtit 205 mijë nënshkrimet kundër Asociacionit, pas letrës që ia çuan Bakoyannisit

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar pas letrës që tre krerët e shtetit, Vjosa Osmani, Glauk Konjufca e Albin Kurti, ia dërguan raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannisit, me anë të së cilës u zotuan se do ta themelojnë Asociacionin pas anëtarësimit të Kosovës në KiE.

Hoti tha se në kohën sa ishte në opozitë, partia e kryeministrit Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, mblodhi 205 mijë nënshkrime kundër Asociacionit, të cilat tash janë ta arkivuara në kuvend.

“Tash, kur janë në pushtet, bëhen rresht dhe e nënshkruajnë letrën e zotimit për themelimin e asociacionit. Mashtrimi i qytetarëve ka emër e mbiemër”, shkroi Hoti.

Se themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës e ka përmendur edhe i dërguari special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.