Hoti: Elbert Krasniqi duhet të përgjigjet përse i shpenzoi 3 milionë euro me kontrata njëburimore
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, duhet të përgjigjet përse i ka shpenzuar 3 milionë euro me kontrata njëburimore për ndërtimin e shtëpive për komunitete, siç kanë gjetur organizatat joqeveritare.
Sipas Hotit, nuk ka kompani private të mjaftueshme në treg për të ndërtuar shtëpi njëkatëshe, dy-tri dhomëshe.
“Sa për grantet e pushtetit lokal, Kosova ka qenë shembull për pushtetet lokale në rajon dhe më gjerë për objektivitetin e ndarjes së granteve nga pushteti qendror tek ai lokal. Bashkëpunimi i qeverisë me pushtetin lokal kurrë nuk ka qenë më i keq. Ky ministër ka përgjegjësi që për dy vite me radhë janë vonuar të hyrat vetjake për komunat dhe i kanë bllokuar investimet kapitale nëpër komuna”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.