Heqja e dinarit, Bieber: Kosova duhet të jetë në gjendje të kontrollojë monedhën në vend
Nga 1 shkurti i këtij viti, valuta e vetme e lejuar për transaksione të pagesave me para të gatshme në Kosovë do të jetë euro.
Ky ishte vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës, i marrë më 27 dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa u publikua në mes të janarit të këtij viti.
“Valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme edhe në kuptim të Nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Neneve 16, 17 dhe 18 të Ligjit Nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”, thotë Neni 35 i kësaj rregulloreje të BQK-së.
Aty theksohet po ashtu se BQK-ja është autoriteti i vetëm monetar që mund të vendosë për denominimet e lejuara të valutës euro për qarkullim në Republikën e Kosovës.
Ndërkaq, në Nenin 36 të Rregullores për operacionet me para të gatshme, theksohet se “valutat tjera jo euro mund të përdoren në Republikën e Kosovës vetëm si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogarite bankare në valuta jo euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo euro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor”.
“Këmbimet valutore mund të kryhen në Republikën e Kosovës vetëm përmes institucioneve të licencuara nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës që ofrojnë këtë shërbim”, thuhet më tej në këtë nen.
Por, ky vendim ka nxitur reagime të shumta, fillimisht nga Serbia, e më pas edhe nga faktori ndërkombëtar.
ShBA-ja, BE-ja dhe Gjermania thanë se vendimi i BQK-së duhet të shtyhet, ndërsa gjatë një periudhe disa mujore, institucionet të ndërmarrin fushata vetëdijesimi për këtë vendim.
Vendimi për valuta, vendim sovran i Kosovës
Ndonëse Gjermania i kërkoi Kosovës “fuqishëm” që të shtyjë vendimin, tha po ashtu se e kupton që përdorimi i valutave është vendim sovran i vendit.
“Ne i bëjmë thirrje fuqishëm Kosovës që të shtyjë datën e hyrjes në fuqi derisa të gjendet një zgjidhje e pranueshme”, u tha gazetarëve në Berlin të premten Christiane Hoffmann, zëvendës zëdhënëse e qeverisë, ka raportuar agjencia e lajmeve “Bloomberg”.
Ajo theksoi se çështja është një vendim sovran i Kosovës, por e quajti këtë lëvizje një “hap të rëndësishëm me pasoja të gjera”, që kërkon më shumë kohë dhe përgatitje.
Edhe drejtori i Qendrës për Studime të Evropës Juglindore në Universitetin e Gracit, Florian Bieber, tha se i takon Kosovës të kontrollojë monedhën e vet.
“Kosova duhet të jetë në gjendje të kontrollojë monedhën në vend – nuk duhet të jetë e diskutueshme”, tha Bieber për “Bloomberg”.
Megjithatë, duke e pasur parasysh situatën me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ai tha qeveria e Kosovës duhet të përpiqet t’i integrojë serbët.
“Por dialogu me Serbinë tani është në një pozitë kaq të vështirë, dhe në fund të ditës, qeveria e Kosovës duhet të përpiqet që serbët e Kosovës ta shohin veten më të integruar”, potencoi ai.
Plani i Ahtisaarit është dokumenti mbi bazën e të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës dhe janë hartuar Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës.
Dinarët kanë ardhur në Kosovë nga Serbia përmes Bankës Kombëtare të Serbisë, e cila ka një kasafortë në Leposaviq, komunë në veri të Kosovës e banuar me shumicë serbe. Paratë atje janë transportuar nga kompania e transportit të parave “Henderson”.
Në rregulloren e BQK-së është thënë se importi dhe eksporti i kartëmonedhave dhe monedhave metalike euro dhe valutave të tjera në Kosovë janë e drejtë ekzekutive e saj.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka thënë se secili prej qytetarëve të Republikës së Kosovës që ka vepruar në kundërshtim me vendimin e BQK-së “ka qenë në vazhdimësi në anën e shkelësit të ligjit”.
Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, e pati quajtur vendimin e BQK-së si “befasi të pakëndshme”.
Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – pati thënë se ky vendim i “regjimit të Albin Kurtit” është “vendim për dëbimin e serbëve nga këto zona pa përdorimin e armëve”.
Ndërkaq, Ambasada amerikane në reagim ka rikujtuar pse Kosova duhet të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Asociacioni është mekanizmi primar, përmes së cilit Serbia do të mund të ofronte ndihmë financiare për institucionet dhe individët, nën kornizën ligjore të Kosovës”.
Sipas saj, “institucionet që ofrojnë shërbime kyçe – si arsimi dhe shëndetësia – duhet të jenë në gjendje të vazhdojnë të funksionojnë”.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.