
Hendboll, përfundoi seminari i suksesshëm për gjyqtarë e delegatë
Të shtunën e të dielën është mbajtur seminari qendror për gjyqtarët e hendbollit kosovar si dhe për vëzhgues/kontrolluesit e ndeshjeve.
Seminari është mbajtur në Prishtinë, ndërsa pos gjyqtarëve të Federatës së Hendbollit të Kosovës morën pjesë edhe gjyqtarë nga shumë vende, që do të drejtojnë takimet e Kampionatit Mesdhetar për hendbollistet deri në 16-vjet, që prej të hënës mbahet në Prishtinë.
Për gjyqtarët e delegatët ka ligjëruar eksperti i njohur kroat, Boris Milosheviq. Ai është ekspert i EHF-së dhe ligjërues me thirrje të Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit.
Nga eksperti kroat, por edhe nga pjesëmarrësit, seminari është vlerësuar shumë i suksesshëm.
Gjatë dy ditëve janë shtjelluar tema të shumta që kanë të bëjnë me drejtimin dhe menaxhimin e ndeshjeve.
Në fund gjyqtarët dhe delegatët tanë i janë nënshtruar edhe testimit me shkrim.
