Haziri: Po i vije fundi durimit të ndërkombëtarëve me Albin Kurtin

Haziri: Po i vije fundi durimit të ndërkombëtarëve me Albin Kurtin

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffry Hovenier të martën ka kërkuar edhe njëherë që vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e përdorimit të dinarit serb të shtyhet.

Madje, ai ka paralajmëruar pasoja në cilësinë e partneritetit me Kosovën, në rast se kryeministri Albin Kurti, nuk dëgjon kërkesat e SHBA-së për çështje të ndryshme.

Kërkesa që të shtyhet ky vendim kanë pasur edhe të gjitha vendet e QUINT-it.

Këto të fundit nuk e kanë kritikuar vendimin, por mënyrën e implementimit.

Lidhur me këtë për Front Online ka folur nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.

Sipas tij, kjo çështje edhe njëherë po e dëshmon qartë se Qeveria e Kosovës nuk ka koordinim me partnerët ndërkombëtar.

Haziri thotë se politika e aktit të kryer është metodë e kryeministri Kurti, por se kjo nuk zgjatë dhe se ky i fundit siç thotë Haziri tërhiqet mbrapa.

Me politikat që po i bën kryeministri Kurti, nënkryetari i LDK-së, Lutfi  Haziri po deklaron se durimi i partnerëve ndërkombëtarë po harxhohet.

“Tani më limitet e tolerancës dhe të durimit të partnerëve po harxhohen karshi kësaj qeverisje sepse plani i ri disa pikësh i Qeverisë Kurti lidhur me këtë çështje është diçka ku po vihet prapë në lojë partneriteti dhe mbështetja që Kosova e ka nga partnerët ndërkombëtar”, është shprehur Haziri për Front Online.

Haziri: Kam frikë se pakoja e dytë e masave do ta prek edhe popullin e Kosovës

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka folur edhe për masat e Bashkimit Evropian që ende janë në fuqi ndaj Kosovës.

“Tani këto masa janë për funksionarë të qeverisë dhe institucioneve dhe droja më e madhe është që pakoja e dytë mund të shkaktojë masa kolektive. ShBA-ja edhe më tutje është partner kredibil dhe gjithmonë  e ka mbajt fjalën e vet dhe edhe në këtë rast e mban fjalën e vet, ata kanë partneritet me popullin e Kosovës e jo me funksionarë të Kosovës dhe kam frikë se këto masa mos po e prekin edhe popullatën e Kosovës sepse 300 milionë euro suspendim apo ngrirje të fondeve të BE-së janë në fuqi tash e një vjet, 500 milionë euro të fondit të Ballkanit Perëndimor ku Kosova është përjashtuar dhe efekte të tjera që me masa eventualisht mund të forcohen. Kjo është ajo që Kosova po e vuan politikisht këto ditë”, ka shtuar Haziri.

Ai ka përmendur edhe paralajmërimet e ambasadorit amerikan Hovenier se mund të ketë pasoja në cilësinë e partneritetit në rast se nuk dëgjohen kërkesat e ShBA-së.

“Vet ambasadori amerikan Hovenier ka thënë që kredibiliteti i marrëdhënieve do të preket shumë nga masat e Qeverisë, sepse nuk po kërkohet largim i rregullores e as suspendim por po kërkohet periudhë tranzicioni dhe rregullim i brendshëm në mënyrë që me u gjet një rrugë ku nuk do të preken interesat e pakicës nacionale të serbëve në Kosovë si mekanizëm kushtetues i rregulluar”, ka thënë ndër të tjera ai për Front Online.

 A mund të ndikojë vendimi për ndalimin e dinarit serb në dialog? Ja çka thotë Lutfi Haziri

“Dialogu Kosovë-Serbi tani është në një ngërç”.

Kështu ka deklaruar për Front Online nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri kur është pyetur se a mund të ndikojë vendimin për dinarin serb në dialogun Kosovë-Serbi.

“Natyrisht që tash dialogu Kosovë-Serbi është në një lloj ngërçi që prej zgjedhjeve të fundit në Serbi, nuk ka pas ndonjë progres përveç që Serbia ka pranuar simbolet e Kosovës siç janë letërnjoftimi dhe regjistrimi i automjeteve dhe implementimi i marrëveshjes së energjisë”, ka thënë ndër të tjera Haziri.

Sipas Hazirit tashmë Kosova duhet të lëviz para dhe kjo lëvizje e saj lidhte me draft-statutin e Asociacionit.