Haziri: Kurti nuk mund t’i ikën Asociacionit me zgjedhje
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri nuk e ka përjashtuar mundësinë që kryeministri Albin Kurti ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, gjatë këtij viti, në përpjekje për t’i ikur përgjegjësisë për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Por, Haziri thotë se Kurti nuk mund të amnistohet me zgjedhje nga obligimet ndërkombëtare që i ka marrë përsipër. “Ia kanë bërë të qartë BE-ja dhe ShBA-ja”.
“Edhe Serbia a i mbajti zgjedhjet më 17 dhjetor, por u dashtë që marrëveshjet për targat dhe për energjinë t’i përfundojë. Edhe z. Kurti nuk ka amnistim. Mundet me shku në zgjedhje, me kamuflu ose me i ikë përgjegjësisë; zgjedhjet do të mbahen, por obligimet do t’i shkojnë atij. Nëse ai nuk i merr obligimet, obligimet i mbesin Kosovës”, thekson nënkryetari i LDK-së.
“LDK-ja në asnjë mënyrë nuk mundet me u bë pjesë e diçkaje që zotëri Kurti tash e tri vjet ka sharruar politikisht deri në fund të pusit me obligimet që nuk i mbajtur”, shprehet Haziri, i pyetur nëse kjo parti ka “vija të kuqe” për një koalicion eventual qeverisës me Vetëvendosjen.
Mospërmbushja e obligimeve ndërkombëtare nga kryeministri, sipas Hazirit, ka bërë që ndërmjetësit ndërkombëtarë të dizajnojnë një draft-statut dhe një marrëveshje të dëmshme, ku përmendet edhe Rezoluta 1244. “Neni 2 nuk e paragjykon statusin e politik të Kosovës dhe i vetmi kryeministër mos të paragjykojë statusin e republikës së vet është ky”.
Për të përshkruar situatën e keqe, ish-kryetari i Gjilanit përdorë një thënie që përdoret në Anamoravë. “Populli e quan ‘rrotë përmbi stupc’”.
“Kjo Qeveri ka shkaktuar raporte të tensionuara me BE-në, është në masa ndëshkuese, ka raporte tensionuese me NATO-n. Ju e dini se NATO i ka marrë disa nga kompetencat e sigurisë dhe i ka kthyer mbrapa, pa i pyetur fare. E kanë thirrë presidenten në takim dhe i kanë tregu. Ka raporte të tensionuara me Shtëpinë e Bardhë edhe me Departamentin e Shtetit. Kanë raporte të tensionuara me të gjithë kryeministrat e rajonit… sepse Kurti shkon dhe e mbështetë opozitën atje”.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike thotë se Qeveria Kurti nuk ka merita për liberalizimin e vizave, as për njohjen e pasaportave nga ana e Spanjës, as për marrëveshjen e energjisë…
Sipas tij, qe gati tre vjet, kjo Qeveri ka sjellë vetëm degradim. “Kosovën e ka bërë vend më pak të dashur për qytetarët e vet. Unë e pranoj që në qeveritë tona ka pasur dëshpërim, gabime politike. Njerëzit kanë kërkuar jetë më të mirë jashtë Kosovës, por kanë kërkuar punë, shkollim më të mirë se në Kosovë, sigurim shëndetësor më të mirë. Sot po kërkojnë atdhe më të mirë… Dallimi është shumë i madh, sepse ata që kanë shkuar për jetë më të mirë, kthehen. Ata që kërkojnë atdhe më të mirë, ata nuk kthehen sepse një familje që i ka një fëmijë ose dy, me dy të punësuar e merr rrugën e gurbetit dhe thotë: ‘fëmija jem nuk dua të rritet këtu, por në Evropë, Kanada apo ShBA”.
“Kjo Qeveri ka dëshpëruar njerëzit, sepse ka nxitur shpresa të mëdha e pritje të mëdha dhe mandej këto shpresa, shkaktojnë dëshpërim të madh. Janë vetëm muajt e parë të dëshpërimit”.
Në fund të intervistës, Haziri shfaq besimin se në zgjedhjet e ardhshme, LDK-ja e cila mori rezultatin më të keq ndonjëherë më 14 shkurt 2021, do të bëjë “rikthimin e madh” dhe do ta rikthejë Republikën aty ku e ka vendin. “Ne nuk mund të vazhdojmë të jetojmë me këtë imazh të përdhosur, të përbuzur”.
INTERVISTA E PLOTË PËR EO:
A kemi ditur ta shfrytëzojmë, ta kapitalizojmë, sulmin e 24 shtatorit në Banjskë?
Haziri: Jo zero, sepse ne jemi me masa ndëshkuese, e Serbia nuk ka, jemi nën sanksione të vlerave milionëshe, shumica e deputeteve e ministrave janë në kufizimin në qarkullim të lirë në BE dhe në takime, vetëm për agjendën e normalizimit të Kosovës ka takime, nuk ka takime tjera, nuk i pranojnë se nëse thirret dikush edhe kryeministri i vet, thirret në agjendën që ka në të bëjë me Ballkan për procesin në Kosovë-Serbi. Mandej, marrëveshje e keqe e 28 shkurtit në Bruksel që lidhet mandej me Ohrin dhe ka sjellë deri te draft-dokumenti, në një situatë ku populli i Anamoravës, siç e potencova në një muhabet, e quan “rrotë përmbi stupc”. Është një situatë e paqartë.
A mund të na jepni një vlerësim të marrëveshjeve me Serbinë. A pritni që Kurti ta formojë Asociacionin, duke e ditur që ka qenë një kundërshtar shumë i madh?
Haziri: Mosmbajtja e obligimeve ndërkombëtare, sepse në momentin që bëhesh kryeministër je burrështetas, nuk i merr vetëm privilegjet por i merr edhe obligimet ndërkombëtare dhe obligimet e brendshme, Ka bërë që ndërmjetësi ndërkombëtar me dizajnu një dokument në parimin e modelit gjermano-gjerman që nuk është e favorshme për Kosovën, sepse zotëri Kurti do të thoshte se cila Gjermani jemi ne, jemi ne federale a demokratike, cilën ka me e gllabërua një ditë, sepse ju e dini ajo ka përfunduar por federalja e ka bashkuar pjesën tjetër të Gjermanisë e ka vendos një shtet gjerman të bashkuar. Tash i jep një konotacion se një Serbi mund të bashkohet me Serbinë e vjetër, siç e quajnë ata. E dyta, marrëveshja në përmbajtje është e dëmshme sepse neni 2 nuk e paragjykon statusin e politik të Kosovës dhe i vetmi kryeministër mos të paragjykojë statusin e republikës së vet është ky (Kurti), sepse kryeministrat e mëhershëm kanë bërë asterisk psh. Serbia po e beson rezolutës 1244, të cilën e ka refuzuar në Rambuje, e tash po e pranon. Le ta mbajë për vete, por aty shënohet edhe vullneti politik i Kosovës, i njohur nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Obligimet i kanë vendosur në një nen, në nenin 7 që lidhen me draft-dokumentin, mandej neni 1 është njohja e simboleve. Neve, letërnjoftimet Serbia na i ka njohur në vitin 2011 edhe targat më vonë, por i ke pasur të mbuluar me stikersa.
Është problem i brendshëm i tyre dhe në vend qe të thonë faleminderit gjithë atyre që kanë punuar, mundohen me kapitalizu një njohje të dokumenteve civile nga Spanja. E kanë detyruar Spanjën që të dalë të bëjë deklaratë shtesë. Ministria e Jashtme nuk na ka njoftuar neve e as Ambasada e Spanjës, por Komisioni Evropian ata e kanë kryer këtë punë e mundohen me kapitalizu. Për energjinë, “Elektroserveri” është i Serbisë, kundërshtuesi i saj ishte zotëri Kurti ose edhe më keq njohjen de-facto me e shit si sukses e që është degradim, sepse nëse Kosova mbetet e përkohshme në raporte me Serbinë, atëherë “de fakto” dhe “de jure”, ne potencialisht jemi problem i ngrirë, hyjmë në shtetet me probleme të ngrira.
Si i shihni sot raportet e Kosovës me arenën ndërkombëtare?
Kjo Qeveri ka shkaktuar raporte të tensionuara me BE-në, është në masa ndëshkuese, ka raporte tensionuese me NATO-n. Ju e dini se NATO i ka marrë disa nga kompetencat e sigurisë dhe i ka kthyer mbrapa, pa i pyetur fare. E kanë thirrë presidenten në takim dhe i kanë tregu. Ka raporte të tensionuara me Shtëpinë e Bardhë edhe me Departamentin e Shtetit, dy letrat nuk kanë kryer punë. Kanë raporte të tensionuar me gjithë kryeministrat e rajonit, me Shqipërinë raporte të tensionuara, me Maqedoninë e Veriut, me Malin e Zi dhe a e dini pse? Sepse zotëri Kurti duke i mbështetë opozitën, shkon në Maqedoni e merret me opozitë, shkon në Shqipëri merret me opozitë, njëjtë edhe në Mal të Zi. Vetë është në Qeveri, opozitën e vet në Kosovë e denigron dhe e masakron përmes “brigadave të kuqe” të internetit, a në regjion merret me opozitë, me ndryshime.
Është përmendur mundësia që Lëvizja Vetëvendosje ta dërgojë vendin në zgjedhje pikërisht për shkak të Asociacionit, që pas zgjedhjeve të zgjerojë koalicionin dhe të mos e marrë e vetme barrën e formimit të Asociacionit. A është e gatshme LDK-ja për të hyrë në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje?
Haziri: Tani jemi në pozitë “as, as”. As nuk e mbështesim Qeverinë, as nuk i mbështesim partitë e tjera opozitare. Në këtë rrugë, ne jemi duke u profilizuar si lëvizje politike e cila po punon në rikthimin e saj sepse ne në 2019-ën, dallimi me VV-në ka qenë 0.63 për qind dhe ka ndodhur për shkak të raporteve të tjera sesa që ka qenë reale. Ne kemi nxjerrë mësim dhe rezultati më i keq i zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021 në fakt që e pësoi LDK-ja, por jemi duke i kthyer. Kemi ndërtuar platformën tonë.
Z. Kurti nuk mund të amnistohet me zgjedhje nga obligimet ndërkombëtare që i ka marrë. Ia kanë bërë të qartë BE-ja dhe ShBA-ja. Zgjedhjet mund të mbahen kurdo. Edhe Serbia a i mbajti zgjedhjet më 17 dhjetor, por u dashtë që edhe targat dhe energjinë t’i përfundojë. Edhe zotëri Kurti nuk ka amnistim, mundet me shku në zgjedhje me kamuflu ose me i ikë përgjegjësisë. Zgjedhjet do të mbahen, por obligimet do t’i shkojnë atij. Nëse ai nuk i merr obligimet, obligimet i mbesin Kosovës dhe LDK-ja në asnjë mënyrë nuk mundet me u bë pjesë e diçkaje që zotëri Kurti tash e tri vjet ka sharruar politikisht deri në fund të pusit me obligimet që nuk i mbajtur. Një njëri që ka agjendë të fshehur dhe nuk e zbardh as për popullin e vet e as për partnerët. Me vetë faktin që një dokument pesë nene e dhjetë nene nuk ka qenë në gjendje dy vjet me i punu; është dashtë BE-ja me bë modalitet evropian që po e quajnë dhe në fund del dhe thotë se “unë kam plan shtatë pikësh për vitin 2024 dhe i pari është draftimi i dokumentit”. Kjo është ataku më i madh në partneritet ndërkombëtar.
A do të ishte e gatshme LDK-ja ta përfundojë marrëveshjen me Serbinë?
Haziri: LDK-ja obligimet ndërkombëtare nuk i diskuton. Ne nuk lejojmë që Kosova të humbë karakterin unitar të organizimit shtetëror. Territorin e saj, kufirin e saj e sovranitetin e saj. Ne bëjmë zgjidhje pragmatike ku akomodohen këto. Ne kemi dhënë shembull me unitet në Vjenë dhe me negociata aktive kemi fituar simpatinë dhe mbështetjen ndërkombëtarëve dhe kemi arritur me shkaktu 17 Shkurtin (shpalljen e pavarësisë). Tani kjo qeveri e ka vetëm një problem, atë me Serbi, që është më i madhi me e mbyll kaptinën përmes një marrëveshjeje. Me Malin e Zi, ju e dini se çka na bërë Ligji i Demarkimit se çka na bëri. 6 vite na la pa viza, e pastaj thonë na e kemi liberalizuar Kosovën. “Nusja është zënë para 6 viteve”, por ka qene pengim kryesor protesta e VV-së në Kuvend. Demarkacioni është miratuar pas 6-7 muajve, por e kemi humbur momentin. Ne e kemi humbur si betejë politike, si LDK, por marrëdhëniet me BE-në, Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit e kemi kryer, Zotëri Kurti ka qene “mister no”.
Z. Trump mund të vijë sërish në krye të SHBA-së. Si një ithtar dikur i shkëmbimit të territoreve, a mendoni se mund të kthehet sërish në tavolinën e bisedimeve?
Haziri: Nuk është Trumpi përfaqësues i thyerjes së parimeve të kufijve në këtë regjion të botës, ka qenë këshilltari i tij për Siguri Kombëtare, Bolton dhe ai në mënyrë eksplicite në fakt, s’ka thënë që ndryshimi i kufijve është i pranueshëm, por çdo marrëveshje paqësore është e pranueshme për Amerikën, përfshirë edhe përshkrimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, por jo të Ballkanit. Tani në një situatë kur lufta në Ukrainë dhe lufta në Gaza kundër Hamasit po bëhet përtej vijave kufitare, është e vështirë të imagjinohet që në Ballkan potencialisht me problemet që janë në Bosnje dhe Kosovë në raport me Serbinë, mund të ndodhë, sepse këtu Serbia është problem për të dyja. Boshti i të keqes është Serbia, e mbrapa saj është Federata Ruse, e cila po e krijon edhe një burim të ri të konfliktit, përveç asaj që po ndodh në Gaza. Është vështirë të imagjinohet sepse parimi i Badinterit që është vendosur në ish-Jugosllavi që luftërat nuk njihen si rezultate në pushtimet e territoreve. Nuk është e vdekur asnjë herë si ide, marrëveshjet paqësore dhe pajtueshmëria e dy vendeve nuk vdes kurrë, por problemi është se çka përfaqësojnë sot shqiptarët e Kosovës Lindore.
A ka ndonjë meritë kjo qeveri kjo Qeveri për liberalizimin e vizave?
Haziri: As për njohjen e pasaportave nga ana e Spanjës, as për marrëveshjen e energjisë, as për liberalizimin e vizave, as për njohjen de-facto. Kjo Qeveri ka sjellë degradim fatkeqësisht. Kosovën e ka bërë vend më pak të dashur për qytetarët e vet. Unë e pranoj që në qeveritë tona ka pas dëshpërim, gabime politike. Njerëzit kanë kërkuar jetë më të mirë jashtë Kosovës, por kanë kërkuar punë, shkollim më të mirë se në Kosovë, sigurim shëndetësor më të mirë. Sot po kërkojnë atdhe më të mirë dhe sot nuk po kërkojnë jetë më të mirë. Dallimi është shumë i madh sepse ata që kanë shkuar për jetë më të mirë, kthehen. Ata që kërkojnë atdhe më të mirë, ata nuk kthehen sepse një familje që i ka një fëmijë ose dy, me dy të punësuar e merr rrugën e gurbetit dhe thotë se ‘fëmija jem nuk dua të rritet këtu por në Evropë ose Kanada apo ShBA. Kjo Qeveri ka dëshpëruar njerëz sepse ka shkaktu shpresa të mëdha e pritje të mëdha dhe mandej këto shpresa, shkaktojnë dëshpërim të madh, janë vetëm muajt e parë të dëshpërimit.
Tani perceptimi publik përmes sondazheve, krahasimeve e numrave, është konsum ditor. Nuk është e vërteta, është ajo çka besojnë njerëzit por nuk është e vërtetë. Politika populiste edhe politikat e majta, nuk mbajnë fjalë, janë politika ditore. Të Majtit kërkojnë armiq jashtë dhe brenda. Në emër të barazisë shkaktojnë pabarazi, në emër të së drejtës sociale, shkaktojnë padrejtësi sociale. Shihini sindikatat nuk ka dialog social në Kosovë, sindikatat janë përjashtuar, asnjë sindikatë nuk bisedon me Qeverinë. Një parti e majtë që nuk i njeh sindikatat. Ne jemi parti e qendrës së djathtë, kemi politikë tjetër dhe mundemi me bë por politikë e cila proklamon politika sociale, nuk ka dialog social dhe i përzë sindikatat, i përjashton ato.
Ku e shihni LDK-në në vitin 2024?
Po hyjmë në një rrugë pa kthim. 19 nëntori ka ndodhur. Rruga e Re si program politik është real, është i implementueshëm dhe i realizueshëm dhe Kosovës i jep imazh të ri, Kosovës i jep zhvillim të ri, drejtim të ri politik dhe social dhe Kosova në familjet sovrane ka me e kthy përqafimin e partnerëve të saj, do ta kthejë besimin e partnerëve dhe kredibilitetin, duke e bërë burim i vendit ku ekonomia do të ecë dhe ku njerëzit kanë me dashtë vendin e vet dhe ku barazia para ligjit ka me qenë për të gjithë e garantuar dhe ky rikthim i madh i LDK-së ka me u lidhë shumë me rikthimin e Republikës sonë aty ku e ka vendin. Ne nuk mund të vazhdojmë të jetojmë me këtë imazh të përdhosur, të përbuzur.