Haxhiu thotë se Kushtetuesja po vonohet me vendimet, derisa mundohet t’i arsyetojë vonesat e veta për Kodin Civil
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i ka përkrahur deklarimet e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi i cili ka thënë se Gjykata Kushtetuese është jokredibile dhe jokompetente.
Ajo ka shtuar se institucioni më i lartë kushtetues në vend është bërë adresë shpëtimi për opozitën vendore, ndonëse aty edhe vetë shumica ka dërguar çështje për trajtim.
“Është fakt që është një nga institucionet që po e pengon jetësimin e reformave, jo vetëm në drejtësi dhe fushat tjera. Pse po e them këtë, sepse opozita po e konsideroj si shpëtim në mënyrë që të mos jetësohen reformat, qoftë në drejtësi, ekonomike, administratë publike”, ka thënë Haxhiu.
Ministrja ka përmendur se Kushtetuesja është duke marrë kohë të gjatë për trajtimin e ligjeve.
“Ligji për KPK-në ka marrë dritën e gjelbër nga Komisioni i Venecias, Është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, ne e kemi bërë një tjetër. Për Vettingun, ka pasë të trajtohet vetëm pika 2 dhe ka marrë mbi nëntë muaj. Byroja për Konfiskim të Pasurisë së Pajustifikueshme mbi nëntë muaj”, ka thënë ajo ndër të tjera.
Derisa gjatë konferencës së njëjtë, Haxhiu është pyetur edhe për Projekt-Kodin Civil, i cili një herë është hedhur në votim në kuvend.
“Kodi Civil është i rëndësishëm për Republikën e Kosovës. Arsyeja pse nuk e kemi proceduar ende nuk është se nuk jemi për atë dokument. Padrejtësish kemi lënë shumë të drejta që qytetarët mund t’i gëzojnë. Nuk jam bindur që nuk jemi të bindur që mund të kalojë. Nuk mund ta për përballojmë situatën nëse kuvendi refuzon ta miratojë një dokument të tillë. Nuk do të ishte lajm i mirë nëse Kodi Civil nuk kalon sërish. Jemi në përpjekje maksimale që të kalojë. Jam optimiste që kur të procedojmë do të kalojë”.