Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, gjatë vizitës së saj zyrtare në Maqedoninë e Veriut, takimin e parë e zhvilloi me homologun e saj, kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.
Haxhiu ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së gjerë parlamentare për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, si nga shumica parlamentare, ashtu edhe nga opozita.
Ajo ka vlerësuar se kuvendet e të dy vendeve kanë rol të veçantë në thellimin e bashkëpunimit dhe afrimin e mëtejshëm të Kosovës me Maqedoninë e Veriut.
Gjatë takimit me Gashin, Haxhiu ka bërë të ditur se kanë diskutuar për forcimin e bashkëpunimit ndërparlamentar përmes komisioneve dhe grupeve të miqësisë, si dhe për rolin e kuvendeve në mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjeve ndërmjet dy vendeve.
Sipas saj, qëllimi është që bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve të sjellë përfitime konkrete për qytetarët.
Haxhiu e ka falënderuar homologun e saj për mbështetjen që Maqedonia e Veriut i jep Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Po ashtu, gjatë takimit është diskutuar për bashkërendimin e përpjekjeve në forumet parlamentare ndërkombëtare dhe për rrugën evropiane të të dy vendeve.
Haxhiu ka takuar edhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
Ky i fundit ka njoftuar për takimin. “Sot zhvillova një takim me kryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu. Në takim biseduam për avancimin e bashkëpunimit bilateral dhe forcimin e marrëdhënieve miqësore ndërmjet dy vendeve. Besoj se përmes dialogut të hapur, respektit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit të shtuar rajonal, mund të kontribuojmë për më shumë stabilitet, zhvillim ekonomik dhe integrim më të shpejtë evropian të rajonit”, ka shkruar në “Facebook” Mickoski pas takimit.
Haxhiu ka takuar edhe presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, me të cilën ka zhvilluar një bisedë të frytshme për bashkëpunimin ndërmjet dy republikave tona.
“Biseduam për marrëdhëniet e mira fqinjësore, që mbështeten në respektin e ndërsjellë. Lidhjet e gjalla dhe të çmueshme ndërmjet qytetarëve tanë janë pasuria më e madhe e këtyre marrëdhënieve. Diskutuam gjithashtu për sigurinë në rajon dhe për rrugën euroatlantike të dy vendeve. Kosova e përkrah përparimin e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian dhe e vlerëson mbështetjen e saj për integrimin e Kosovës në strukturat evropiane dhe euroatlantike”, ka shkruar Haxhiu në rrjetet sociale.

