Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot në takim anëtaret e Bordit të Grupit të Grave Deputete.
Gjatë takimit u diskutua për koordinimin dhe bashkëpunimin me qëllim të fuqizimit të rolit të Kuvendit në çështjet që prekin gratë dhe avancimit të politikave gjinore. Në këtë drejtim, u theksua rëndësia e hartimit të një agjende të përbashkët të Kuvendit dhe grave deputete për periudhën 2027–2030.
Për këtë qëllim, kryetarja e Kuvendit do të zhvillojë takime edhe me shefat e grupeve parlamentare dhe komisionet përkatëse.
Temë e diskutimit ishte edhe agjenda legjislative, me theks te ligjet që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e grave, përfshirë Ligjin e Punës.
Kryetarja i ftoi anëtaret e Bordit të kontribuojnë në këtë proces, me synimin për të siguruar legjislacion sa më cilësor.
Në takim u ngrit edhe rasti i femicidit në Vitomiricë, me kërkesën që institucionet përgjegjëse të japin llogari, si dhe problemet në qendrat për punë sociale.
Arijeta Rexhepi njoftoi se Bordi ka mbajtur takimet e para dhe është duke hartuar planin e punës, i cili do të përfshijë edhe aktivitete të përbashkëta me Kabinetin e Kryetares së Kuvendit dhe Presidencën.

