Haxhiu: Roli i Akademisë dhe Institucioneve thelbësor në luftimin e dhunës dhe femicidit

Haxhiu: Roli i Akademisë dhe Institucioneve thelbësor në luftimin e dhunës dhe femicidit

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në aktivitetin e organizuar për “Rolin e Akademisë dhe Institucioneve në Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave, me fokus në Femicid”, para studentëve dhe stafit të Kolegjit AAB, ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes Akademisë dhe institucioneve për parandalimin e dhunës ndaj grave, me fokus të veçantë te femicidi.

Tutje, ministrja Haxhiu vuri në dukje rolin e pazëvendësueshëm të universiteteve në edukimin për barazinë gjinore, nxitjen e kërkimeve shkencore dhe krijimin e një kulture që dënon dhunën në çdo formë.

Ministrja Haxhiu tha se femicidi, si forma më e rëndë e dhunës, kërkon një qasje të veçantë andaj identifikimi i grave në rrezik dhe ofrimi i mbrojtjes së menjëhershme janë hapa të domosdoshëm.

Sipas ministres Haxhiu, Ministria e Drejtësisë ka marrë një sërë masash kundër dhunës, si miratimi i strategjive kombëtare, programeve për trajtimin e kryerësve të dhunës dhe ligjeve për mbrojtjen e viktimave, duke përfshirë edhe ofrimin e ndihmës juridike falas.

Në përfundim, ministrja theksoi rëndësinë e sensibilizimit të opinionit publik dhe angazhimin gjithëpërfshirës për të krijuar një të ardhme ku gratë jetojnë të sigurta, të respektuara dhe të mbrojtura.