Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Ushtruese e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, priti sot pjesëmarrësit e Seminarit të 44-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, mes tyre studiues, përfaqësues të bashkësive historike shqiptare dhe bashkëpunëtorë shumëvjeçarë të Seminarit nga Kroacia, Italia, Bullgaria, Austria dhe Siria.
Kryetarja Haxhiu tha se shumë prej tyre kanë vite që vijnë në Prishtinë për Seminarin dhe që, nga vendet ku jetojnë e punojnë, i kushtohen gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare.
Në takim kryetarja Haxhiu vlerësoi veçanërisht punën e tyre për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës dhe të trashëgimisë shqiptare, si dhe bashkëpunimin me qendrat e albanologjisë dhe komunitetet shqiptare jashtë vendit.
U bisedua gjitjashtu për ruajtjen e të folmeve arbëreshe dhe arbëneshe, forcimin e studimeve shqiptare në universitetet evropiane, digjitalizimin e trashëgimisë gjuhësore dhe vendin e shqipes në teknologji dhe inteligjencën artificiale.
Në fund, Haxhiu falënderoi pjesëmarrësit e seminarit për punën shumëvjeçare që bëjnë për gjuhën dhe kulturën shqiptare.

