Haxhiu: Kodi i ri Penal mundëson gjykimin në mungesë të Radoiçiqit për sulmin terrorist në Banjskë

Haxhiu: Kodi i ri Penal mundëson gjykimin në mungesë të Radoiçiqit për sulmin terrorist në Banjskë

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se pas ndryshimeve të fundit në Kodin e Procedurës Penale, është mundësuar aplikimi i gjykimit në mungesë edhe në rastet e veprave penale të natyrës së rëndë.

Këto ndryshime, sipas Haxhiut mund të aplikohen edhe për sulmin terrorist në Banjskë.

Haxhiu ka shkruar sonte se: “Millan Radoiçiq & Co. duhen gjykuar në Kosovë me ose pa ekstradim, sa më pare”.

“Pavarësisht kësaj mundësie ligjore, s’ka dyshim që vlera e dobia janë të shumëfishta kur kryeterroristi Millan Radojiçiq dhe 44 paramilitarët e tij, të dorëzohen në Republikën e Kosovës dhe të përballen drejtpërdrejt me drejtësinë”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Sipas saj, Millan Radojiçiq është kryetar de facto i Listës Serbe. Ajo shton se “kjo u bë edhe më e qartë kur kryetari formal i saj, Zlatan Elek, u radhit si i shtati me numrin e votave në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe, pas marrjes së mandatit të deputetit, e detyruan të jap dorëheqje”.

Haxhiu thotë se certifikimi i Listës Serbe për zgjedhjet e fundit ka qenë një gabim i rëndë dhe i pafalshëm.

“Saktësisht dy vite më parë, më 22 prill 2023, në paradën e Ushtrisë së Serbisë në Batajnicë, krahas Millan Radojiçiqit ishin të pranishëm edhe dy deputetët e Listës Serbe, Igor dhe Slavko Simiq, si dhe kryetarët Dalibor Jevtiq dhe Goran Rakiq. Atë ditë po ekspozohej edhe sistemi kinez FK-3, pikërisht në vendin ku janë ekshumuar 744 shqiptarë nga varreza masive. Këto fakte dëshmojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë dhe bashkëpunimin e strukturave të Listës Serbe në sulmet terroriste dhe kundër rendit kushtetues në Kosovë”, shkruan ajo.

Postimi i plotë i saj:

Pas ndryshimeve të fundit në Kodin e Procedurës Penale, është mundësuar aplikimi i gjykimit në mungesë edhe në rastet e veprave penale të natyrës së rëndë. Këto ndryshime mund të aplikohen edhe për sulmin terrorist në Banjskë. Pavarësisht kësaj mundësie ligjore, s’ka dyshim që vlera e dobia janë të shumëfishta kur kryeterroristi Millan Radojiçiq dhe 44 paramilitarët e tij, të dorëzohen në Republikën e Kosovës dhe të përballen drejtpërdrejt me drejtësinë.

Millan Radojiçiq është kryetar de facto i Listës Serbe. Kjo u bë edhe më e qartë kur kryetari formal i saj, Zlatan Elek, u radhit si i shtati me numrin e votave në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe, pas marrjes së mandatit të deputetit, e detyruan të jap dorëheqje. Çertifikimi i Listës Serbe për zgjedhjet e fundit ka qenë një gabim i rëndë dhe i pafalshëm.

Saktësisht dy vite më parë, më 22 prill 2023, në paradën e Ushtrisë së Serbisë në Batajnicë, krahas Millan Radojiçiqit ishin të pranishëm edhe dy deputetët e Listës Serbe, Igor dhe Slavko Simiq, si dhe kryetarët Dalibor Jevtiq dhe Goran Rakiq. Atë ditë po ekspozohej edhe sistemi kinez FK-3, pikërisht në vendin ku janë ekshumuar 744 shqiptarë nga varreza masive. Këto fakte dëshmojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë dhe bashkëpunimin e strukturave të Listës Serbe në sulmet terroriste dhe kundër rendit kushtetues në Kosovë.

Millan Radoiçiq & Co. duhen gjykuar në Kosovë me ose pa ekstradim, sa më parë.