Haxhi Shala dhe Sabit Jonuzi pranojnë fajësinë para gjykatës në Hagë

Haxhi Shala dhe Sabit Jonuzi pranojnë fajësinë para gjykatës në Hagë

Ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Haxhi Shala dhe Sabit Januzi, janë deklaruar fajtorë të mërkurën para Gjykatës Speciale në Hagë për akuzën e frikësimit të dëshmitarit dhe pengimit të drejtësisë.

Të dy e bënë këtë deklarim më 18 dhjetor në kuadër të një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë e Specializuar, ku Shala u pajtua edhe për një dënim me burgim deri në tri vjet, ndërsa Jonuzi u pajtua me një dënim prej 24 deri në 30 muaj burgim.

Ata thanë se kanë pranuar marrëveshjet pa ndonjë detyrim dhe me vullnet të lirë si dhe që nuk do të apelojnë vendimet e dënimeve të tyre nëse ato do të jenë sipas marrëveshjes apo më të ulëta, raporton Rel.

Prokuroria e Specializuar në Hagë akuzon Shalën se kreu veprën në bashkëpunim me Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin, i cili gjithashtu ka bërë një marrëveshje të fajësisë e cila do të shqyrtohet në gjykatë më 19 dhjetor.

“Kur jam deklaruar jo i fajshëm, nuk kam qenë i intervistuar nga Prokuroria dhe nuk kam qenë i informuar se për çfarë është fjala. Tani deklarohem fajtor për çfarë thuhet në marrëveshjen e fajësisë”, tha Shala gjatë deklarimit të tij në Gjykatë.

“Sa më i ulët dënimi, aq më mirë”, tha po ashtu Shala gjatë deklarimit të tij në gjykatë.

Ndërkaq, Jonuzi u përgjigj shkurt “fajtor”, në pyetjen e panelit gjyqësor se si deklarohet për akuzat me të cilat ngarkohet.

Brenda kësaj marrëveshjeje, për Shalën propozohet një dënim deri me tri vjet burgim, në të cilin llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.