Hashani: Rritja e rasteve me Covid-19, nuk është shqetësuese

Hashani: Rritja e rasteve me Covid-19, nuk është shqetësuese

Kryeshefi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Valdet Hashani, ka thënë për se gjatë dy javëve te fundit është rritur numri i pacienteve me Covid-19 dhe se numri është më i madh se sa të dhënat zyrtare, kjo pasi një numër i madh i pacienteve nuk janë duke u testuar për virus.

Ai ka thënë pavarësisht numrit në rritje me këto viruse nuk ka asgjë për tu shqetësuar, dhe se këto raste me terapi invazive janë duke u shëruar brenda dy deri në tre ditë, raporton Ekonomia Online, transmeton Klankosova.tv.

“Realisht në dy javët e fundit kemi një rritje të fluksit të pacientëve, sigurisht se pjesa dërmuese e kësaj rritje korrespondon me diagnozën e virozave sezonale, të verës. Në kuadër të kësaj numri më i madh i pacientëve është me covid pozitiv. Numri nuk mund të themi në shifra me qenë këto të dhëna i keni nga IKSHPK. Po mund të ju themi sigurisht se numri i pacienteve është shumë më i madh me qenë se pjesa më e madhe e pacienteve nuk janë duke u testuar për covid-19, për këtë viroz e cila hynë edhe kjo në kuadër të këtyre virozave të rëndomta, nuk ka asgjë shqetësuese. Ndoshta pak a shumë simtomatologjia është më e shprehur se virozat e tjera, por megjithatë edhe me terapi jo invazive, pa infuzione e të ngjashme ajo po kalon brenda dy tri ditëve”, u deklarua Hashani.

Ai ka thënë se rritja e pacientëve me diagnozën e virozëve sezonale brenda dy javëve është rritur me 30 për qind dhe se numri më i madh i tyre është duke u paraqitur në ndërrimin e natës.

Ai ka bërë thirrje që këta pacient nuk duhet që të insistojnë që të marrin infuzione, pasi sipas tij, dhënia e infuzioneve ka mbetur nga koha e pandemisë dhe se në rrethana normale nuk duhet të jepen infuzione.

“Gjatë këtyre dy javëve te fundit kemi pasur një rritje të numrit të pacienteve, diku mbi 30 për qind. Në fakt numri me i madh i pacienteve që është pak edhe shqetësues jo për shkak të gjendjes po për shkak të fluksit të pacienteve të cilët vijën zakonisht në ndërrimet e natës. Kemi një rritje enorme, të numrit të pacientëve në ndërrimet e natës që zakonisht nuk kemi pasur. Fatkeqësisht pjesa dërrmuese e pacienteve insistojnë që të marrin infuzione, kujdesi parësor-shëndetësor nuk është ajo porta e cila është për distribuim ose për dhënie të infuzioneve. Kjo dhënia e infuzioneve ka mbetur nga koha e covid-19,  e cila nënë rrethana normale nuk do të duhej të ishte. Me qenë se kujdesi parësor-shëndetësore ashtu siç e din edhe popullata është preventiv, dhënia e terapisë orale”, ka thënë ai.

Hashani ka treguar edhe simptomat me të cilat janë duke u përballur këta pacient.

“Zakonisht mosha e pacienteve është mosha e të rinjve por edhe atyre personave të cilët janë me sëmundje kronike, do të thotë të moshuarit. Simtomatologjia është e rëndomtë sikurse çdo virus tjetër, manifestohet me dhimbje muskulare, dhimbje koke, temperaturë, ethe, lodhje, rraskapitje e kështu me radhë. Në qoftë se kjo manifestohet me gastro-enterit, me infeksione të gojës dhe të zorrëve, atëherë kemi manifestim të vjelljeve, diarre e të ngjashme. Por edhe në këto raste është një apel i imi si mjek, pacienteve që të mos marrin infuzione, me qenë për këto duhet të koordinohen nga mjekët”, ka thënë ai për EO.