Hasani: Serbia të ndalojë së dërguari ushtrinë në kufi me Kosovën

Hasani: Serbia të ndalojë së dërguari ushtrinë në kufi me Kosovën

Duke e cilësuar si “lojë qesharake”, ministri për Evropë dhe Punë të Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, i bëri thirrje Serbisë që të ndalojë së dërguari ushtrinë e saj në kufi me Kosovës.

Hasani, gjatë një konference të përbashkët për media në Prishtinë me homologen e tij kosovare, Donika Gërvalla, tha se siguria e Kosovës garantohet nga NATO.

“Bëjmë thirrje te të gjithë aktorëve dhe faktorëve që jetojnë në shekullin e 21-të, nuk i çohen ushtri fqinjit më te kufiri. Askush nuk duhet të bëjë më këtë lojën që është qesharake sepse të gjithë jemi të qartë se garancia më e madhe për integritetin dhe sovranitetin e Kosovës është NATO, ku dhe Shqipëria është pjesë”, tha Hasani.

Hasani, që po qëndron në Kosovë në vizitën e tij të parë zyrtare, foli për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit. Atë ditë, një grup serbësh të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë një polic. Në përleshjet që pasuan u vranë edhe tre sulmues serb.

Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë, mori përgjegjësinë për sulmin.

Kosova ka fajësuar Serbinë, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në ngjarjet në Banjskë.

Kryediplomati shqiptar bëri thirrje që përgjegjësit për sulmin, që ai e cilësoi terrorist, duhet të përballen me drejtësinë, pasi sipas tij, kjo është e domosdoshme “për të parandaluar një përshkallëzim me pasoja ndoshta të pakthyeshme”.