Haradinaj: Trimat siç ishte Rexhep Kadrijaj lindin rrallë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar heroin Rexhep Kadrijaj në 25-vjetorin e rënies.
Haradinaj ka thënë se shtypja e egër që ushtronte Serbia vetëm sa e e nxiste revoltën dhe e forconte bindjen se liria nuk fitohet me nënshtrim.
“Trimat siç ishte Rexhep Kadrijaj lindin rrallë por vepra e tyre bëjnë krenar gjithë kombin. Shtypja e egër dhe gjenocidi që po ushtronte Serbia pushtuese në Kosovë, te Rexhepi, sikurse edhe te shumë të rinj, vetëm sa e nxiste revoltën dhe e forconte bindjen se liria nuk fitohet me nënshtrim por vetëm me gjak e luftë të armatosur”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se Rexhep Kadrijaj gjatë gjithë kohës shquhej për disiplinën ushtarake dhe trimërinë në beteja.
“Rexhepi u rreshtua pranë radhëve të Ushtrisë Çlirimtare që në fillet e para të nisjes së luftës frontale në Dukagjin. Gjatë gjithë kohës shquhej për disiplinën ushtarake dhe trimërinë në beteja. Ai ra 25 vjet më parë, duke mbetur simbol i sakrificës më sublime për të drejtën shqiptare. Në kujtim dhe nderim të Rexhepit, kam bërë homazhe në vendlindjen e tij në Rastavicë. Qoftë i lartësuar përjetësisht emri i tij!”, është shprehur Haradinaj.